
Bashkimi Evropian ka cilësuar shpërthimin në kanalin e ujësjellësit Ibër-Lepenc në Zubin-Potok si një “akt të neveritshëm sabotimi” ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës. Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme të BE-së e ka dënuar ashpër sulmin, duke e cilësuar si një kërcënim për ujin e pijshëm dhe sistemin energjetik të Kosovës.
BE-ja ka shprehur solidaritet me të prekurit dhe ka kërkuar hetim të plotë, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës. Sulmi, i cili ndodhi më 29 nëntor, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme, por ato janë riparuar pjesërisht. Kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar arrestimin e disa personave dhe sekuestrimin e materialeve të dyshimta. Sulmi është dënuar gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa autoritetet e Kosovës kanë bërë përgjegjëse Serbinë për ngjarjen.
“Ne qëndrojmë në solidaritet me të gjithë në Kosovë që janë prekur nga ky sulm”, thuhet në komunikatë.
“Akti kriminal i kryer në Zubin-Potok duhet të hetohet dhe përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë. Në këtë aspekt, BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës dhe ne do të vazhdojmë të përcjellim nga afër zhvillimet”, thuhet në deklaratë.