ShowBizzz

Artistja e thonjëve Rakela Hajrullahu, histori suksesi në Zvicër

Quhet Rakela Hajrullahu, është një grua e re, e realizuar në aspektin personal dhe atë profesional. E zonja, ambicioze dhe e pashme, Rakela është një tjetër shqiptare e suksesshme në Diasporë. Është dizajnere e thonjëve, bashkëshorte dhe nënë e lumtur e një djali tre vjeçar. Ka lindur e është rritur në Zvicër, por lidhjen me Kosovën e ka pasur e vazhdon ta ketë shumë të fortë.

Rakela, ka studion e saj për thonjë “Kela Nail Studio”, ku shkrinë gjithë talentin dhe pasionin e në thonjët e klienteve të shumta që e vizitojnë studion e saj, tashmë të njohur për punën profesionale dhe cilësinë e produkteve. Studio ndodhet në Rorschach në kantonin e St. Gallen.Rakela, na tregon për revistën “Kosovarja” se pas shumë kohësh e angazhuar në shitje, para shtatë vitesh nisi të realizonte ëndrrën e saj për tu bërë dizajnere e thonjëve.

“Që kur isha fëmijë, e dija që do të doja të punoja në këtë fushë. Kohë më parë, gjetëm një letër që e kisha shkruar kur isha shtatë ose tetë vjeç, ku shkruaja që do të bëhesha një “nailtech”, një ëndërr që nuk e kam humbur kurrë nga mendja dhe sytë. Rruga për të arritur këtu nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Kam punuar pa u lodhur, kam ushtruar, kam mësuar më shumë dhe kam ndjekur trendët më të fundit. Sot, pas shtatë vitesh, ndodhem në studion time dhe i shikoj me krenari të gjitha sfidat që kam kaluar. Suksesi im bazohet në punë të palodhur, besim në vetvete dhe bindjen e fortë që energjia pozitive tërheq lumturi dhe sukses”, thotë artistja e thonjëve.

Në të vërtet, studio “Kela Nail Studio” në Zvicër, është më shumë se një vend për thonj të bukur. Është një hapësirë e mirëqenies.
“Klientët e mia nuk janë vetëm klientë, pasi ato janë njerëz të dashur, me të cilët shpesh bëj biseda të thella. Gjatë një trajtimi, që mund të zgjasë një deri në dy orë, krijohet një lidhje e veçantë. Kam shumë rëndësi cilësinë dhe gjithmonë dua t’u ofroj klientëve të mi më të mirën”.

Rakela, që nga viti 2019 punon me produktet e @PrincessnailsSchëeiz dhe për tre vjet ka
qenë dhe vazhdon të jetë ambasadore e markës. Ajo, poashtu ka rolin e trajneres dhe mbanë kurse për të ndarë njohuritë dhe pasionin e saj. “Jam shumë perfeksioniste në punë. Më e rëndësishme për mua është që të ndihmoj dizajnerët e thonjve të informohen mbi produktet më të fundit dhe më cilësore dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre.”

Në studio, klientet përfitojnë edhe përfitime të tjera, për të cilat na flet vetë artistja e thonjëve, Rakela Hajrullahu: “Kolegia ime e talentuar, @albluxbeauty, ka zonën e saj dhe krijon qerpikët dhe vetullat më të bukura, kështu që ofrojmë një fushë të gjerë shërbimesh bukurie nën një çati”.

Rakela, tregon me entuziazëm se është gati ta dërgojë biznesin e saj të thonjve në një nivel tjetër. Që nga janari i vitit 2025, do të ofrojë kurse online ekskluzive, të zhvilluara nga vetë ajo. Këto kurse janë pjesë e vizionit të saj për ta digjitalizuar biznesin dhe për të ndjekur rrugë të reja. Qëllimi është të revolucionalizohet “Loja e Thonjëve” dhe të ndihmohen dizajneret e tjera të shfrytëzojnë potencialin e tyre të plotë.

“Përveç biznesit tim të thonjve, merrem edhe me Digjital Marketing dhe udhëheq një tjetër biznes online: @Bloomingness.rh. Këtu ndihmoj gratë, veçanërisht nënat, të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë dhe të lulëzojnë. Dua t’i inspiroj ato që të shpëtojnë nga sistemi i punës 9to5, të bëhen të pavarura dhe të krijojnë të ardhura pasive përmes kurseve digjitale. Ky mision është shumë i rëndësishëm për mua, sepse kam përjetuar vetë se si është të shpikësh veten”.
Dhe, pas gjithë këtyre punëve e planeve ambicioze, natyrshëm lind pyetja se nga e merr Rakela gjithë këtë energji?

“Familja ime është frymëzimi më i madh për mua. Kur u bëra nënë, e dija që duhet të jap gjithçka, për këtë mrekulli të vogël. Rregullat e rrepta këtu në Zvicër, që shpesh i lënë nënat me pak kohë për fëmijët e tyre, më motivuan të gjej një rrugë tjetër. Dua t’i tregoj femrave dhe sidomos nënave se ka mundësi të tjera dhe t’i inkurajoj ato që të besojnë te vetja. Në këtë rrugëtim, nuk mund të harroj mbështetje e gjithanshme që kam nga familja ime. Burri im, Leotrimi, është mbështetje ime më e madhe dhe jam pafundësisht mirënjohëse për prindërit tanë, që na mbështesin fuqishëm, qofshin me fjalë apo duke na ndihmuar me vogëlushin. Veçanërisht, nuk mund të harroj vëllain tim Rinorin, i cili më ndihmon në studion e muzikës që e ka realizuar vet, të krijoj beats dhe muzikat për videot e mia dhe kurset online”.

Në gjithë rrëfimin e saj, kohë pas kohe përmend dashurinë e jetës, të shoqin Leotrimin, duke thënë se nëse nuk do të ishte ai, nuk do të ishte këtu ku është, duke jetuar ëndrren dhe suksesin. “Më motivon te ecë përpara, të vazhdoj tutje, duke më thënë se unë mundem dhe për këtë arsye i jam shumë mirënjohëse”.

Në fund, Rakela tregon se ajo beson me të vërtetë që ëndrrat mund të bëhen realitet, nëse punon shumë, beson në vetvete dhe nuk dorëzohesh kurrë. “Gjithçka është e mundur, nëse beson te vetja dhe manifeston të mirat.”



ks