
1
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se sulmi i mbrëmshëm është i dirigjuar nga Serbia dhe përgjegjës për këtë e mbajnë Beogradin zyrtar.
Në një konferencë për media, Sveçla u shpreh se të gjitha organet kanë bashkërenduar veprimet në terren.
Ai tha se kanali i “Ibër Lepencit” është i gjatë dhe po shqyrtojnë mundësinë që, aq sa ka jetëgjatësi ky rrjet, të vendoset mbikëqyrje dhe siguri përreth tij.
“Është shumë lehtë e mundshme që dikush të atakojë një vijë 50 metërshe. Është çështje e hetuesve që të sqarojnë rrethanat”, u shpreh Sveçla.
Të pyetur se si është mundësuar furnizimi me eksplozivë dhe sasinë e madhe të armatimit që u konfiskua sot, komandanti suprem i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, u shpreh:
“Duhet të kuptoni që po flasim për një rast shumë të rëndë.
Nëse ne japim shumë informacione, dëmtojmë procesin tonë. Janë materiale e dëshmi që janë gjetur në bastisjet e sotme, e që dyshohen të lidhen me sulmin e mbrëmshëm. Neve na mbetet punë me bë, punë e hetuesve tanë me përcaktu rolin e secilit në përfshirjen e terroristëve në këto akte kriminale”.
Kujtojmë se mbrëmë, me rreth 15 kilogramë eksploziv, u sulmua kanali i ujësjellësit në “Ibër Lepenci” në Zubin-Potok, duke shkaktuar dëme të jashtëzakonshme në infrastrukturën e furnizimit me ujë, dhe duke prekur edhe fushën e energjetikës gjithashtu.