
Dejan Vasiç, avokati i Dushan Millanoviçit, njërit nga tetë të arrestuarit për sulmin në kanalin e Ibër- Lepencit të premtën mbrëma , ka thënë se pret që klienti i tij të lirohet të hënën.
Ai pas seancës gjyqësore që është mbajtur të dielën, tha se deri tash Prokuroria nuk ka kërkuar paraburgim.
“Marrë parasysh që Prokuroria Speciale deri tash nuk ka kërkuar për paraburgim ligjor për Dushan Millanoviçin nga Leposaviçi, shpreh shpresën që kjo s’do të ndodhë, marrë parasysh që ai është burgosur dje në ora 9 të mëngjesit dhe që paraburgimi i tij skadon pas 48 orëve, që është përcaktuar nga policia, pres që policët nga njësia speciale do të mbajnë premtimin që ma dhanë dje, se do të kryejnë sa më shpejt procedurat që të dëshmohet e vërteta.E që është, se Dushani nuk ka kurrfarë lidhje me grupin “Korridori” në rrjetin Telegram, dhe pres që gjatë ditës së nesërme ai të lirohet. Shpresoj që do të jetë ashtu. Ai ende po mbahet në polici për 48 orë”, ka thënë ai, raporton Tëvë1.
Policia e Kosovës të shtunën ka arrestuar tetë persona të dyshuar për këtë si dhe ka sekuestruar një sasi të armëve e pajisje tjera përfshirë edhe uniforma ushtarake.
Ndërsa, të dielën përgjatë hapësirës së kanalit të Ibër-Lepencit, policia ka kryer kontrolle ku ka sekuestruar një pushkë gjuetie.