Lajme

Akuzat e reja të Speciales ndaj Thaçit, Musliu kërkon që Kuvendi të mblidhet urgjentisht

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar pas aktakuzës së re të Prokurorisë Speciale të Hagës për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Në një postim në Facebook, ajo ka bërë thirrje që Kuvendi i Kosovës të mbajë një seancë urgjente për këtë çështje.

“Parlamenti i Kosovës duhet të mblidhet urgjentisht dhe të debatoj për Gjykatën Speciale në Hagë dhe t’i thotë ‘STOP’ përndjekjeve politike!”, ka shkruar Musliu në Facebook.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur akuza ndaj ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçit, për veprat penale të pengimit të drejtësisë.

Sipas ZPS-së, Thaçi ndodhej në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, kur iu dorëzua fletë-arresti.

“Në aktakuzën e konfirmuar, kundër z. Thaçi janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës”, thuhet në njoftimin e ZPS-së./teve1.info/