Lajme

Shkodra: Guxo s’ka qenë alternativë, ishte mbetje hatri e Osmanit

Njohësi i çështjeve politike, Selam Shkodra, ka thënë se partia Guxo ka qenë më shumë një mbetje hatri e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani sesa një alternativë.

Shkodra ka shtuar se kjo parti e ka të vështirë të krijojë një identitet të ri pa presidenten Osmani pasi sipas tij me shkuarjen e saj në Presidencë udhëheqësit aktual nuk kanë arritur ta përmbushin boshllëkun.

“Kjo iniciativë politike nëse mund ta quaj ashtu ka qenë jo një alternativë që nga fillimi por ka qenë një mbetje hatri e presidentes Osmani me partinë e saj për shkak të sjelljeve që kishin në qeverinë e parë Kurti 1 dhe fund e krye ky subjekt është identifikuar me emrin e saj. Nuk është e lehtë të krijohet një identitet i ri pa pjesën e Vjosa Osmanit, me shkuarjen e Osmanit në presidencë boshllëkun nuk kanë arritur as për së afërmi këta dy njerëz që iu është besuar ta udhëheqin këtë iniciativë politike ta përmbushin”, është shprehur ai në emisionin “Këndi i Debatit”, në Tëvë1.

Ndërkaq, aderimi i profesorit universitar Nezir Kraki në këtë parti Shkodra ka thënë se nuk e di sa vota do t’i sjellë, pasi për mendimin e tij Kraki është kohë të gjatë në mërgim dhe nuk beson se ka ndonjë rrjet të njerëzve në Kosovë.

“Mendoj se çdo njeri që ka një të kaluar në jetën publike e rrit së paku cilësinë e debatit dhe cilësinë e performancës së një subjekti të caktuar. Nuk e di a do i sjell vota partisë Guxo, nuk e njoh shumë e kam parë në disa paraqitje të tij, ai është kohë të gjatë në mërgim dhe nuk besoj se ka ndonjë rrjet të madh të njerëzve këtu duke marrë parasysh mënyrën se sib ëhet fushata në Kosovë”, ka thënë Shkodra.