Lajme

Kurti udhëton për vizitë zyrtare në Kroaci

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Zagreb të Kroacisë.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, gjatë kësaj vizite dy vendet do të nënshkruajnë marrëveshje në fushën e sigurimeve sociale, për njohje të ndërsjellë të patentë shoferëve, për bashkëpunim në mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore, teknike dhe teknologjike, dhe bashkëpunim në fushën e mjekësisë ligjore.

Kurti do të mirëpritet në takime bilaterale nga krerët e shtetit të Kroacisë.

“Pjesë e delegacionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të jenë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, pas Kroacisë, kryeministri Kurti do të udhëtojë për në Slloveni./teve1.info/