Ish-presidenti sirian Bashar al Assad ka dhënë sot një deklaratë të gjatë nga Moska, ku ka folur për situatën kritike të vendit.
“Largimi im nga Siria nuk ishte i planifikuar dhe nuk ndodhi gjatë orëve të fundit të betejave, siç pretendojnë disa. Përkundrazi, qëndrova në Damask dhe vazhdova të kryej detyrat e mia deri në orët e para të së dielës, më 8 dhjetor 2024,” thuhet në deklaratë. “Ndërsa forcat terroriste hynin në Damask, unë u transferova në Latakia në koordinim me aleatët tanë rusë për të mbikëqyrur operacionet luftarake. Kur mbërrita në bazën ajrore të Hmeimimit atë mëngjes, u bë e qartë se forcat tona ishin tërhequr plotësisht nga të gjitha vijat e betejës dhe se pozicionet e fundit të ushtrisë kishin rënë. Ndërsa situata në terren vazhdonte të përkeqësohej, edhe vetë baza ushtarake ruse ra nën sulme të ashpra me dronë”.
Assad shtoi se “pa mjete të mundshme për të lënë bazën, Moska kërkoi nga komanda e bazës që të organizohej një evakuim i menjëhershëm drejt Rusisë, në mbrëmjen e së dielës, më 8 dhjetor”. Kjo ndodhi një ditë pas rënies së Damaskut, si pasojë e kolapsit të pozicioneve të fundit ushtarake dhe paralizës së plotë të institucioneve shtetërore që kishin mbetur.
“Në asnjë moment gjatë këtyre ngjarjeve nuk e kam konsideruar dorëheqjen apo kërkimin e strehimit. Asnjë individ apo palë nuk ka bërë një propozim të tillë. Veprimi i vetëm i mundshëm ishte vazhdimi i luftës kundër sulmit terrorist”, përfundoi deklarata.
/tiranapost