ShowBizzz

“Martini u vra për herë të dytë”, prindërit e 14-vjeçarit letër ambasadës së SHBA-së!

Prindërit e Martin Canit, djaloshit 14-vjeçar që prej 3 javësh mungon në vatrën familjare pasi u vra nga bashkëmoshatari i tij pranë shkollës “Fan Noli”, i janë drejtuar me një letër Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, duke theksuar se po e përjetojnë si një vrasje të dytë sjelljen e institucioneve shqiptare.

“Martini u vra për herë të dytë”, prindërit

“Meqë po ju drejtohemi juve, jemi Angel dhe Florina Cani, prindërit djaloshit 14-vjeçar Martin Cani, që prej 3 javësh mungon në vatrën tonë familjare, pasi u vra në kohën kur ne besonim që e kishim të sigurt në shkollë, institucion që administrohet nga shteti shqiptar.

Ka mbi dy javë që po përjetojmë si një vrasje të dytë të Martinit, papërgjegjshmërinë e sjelljes së disa institucioneve shqiptare, për faktin që askush prej tyre nuk po merr përgjegjësi e të japë dorëheqje për shkak të paaftësisë së tyre që na shkaktuan humbjen e djalit. Dhe më e pabesueshme dhe e pafalshmja është që po na vrasin dhe neve si prindër si dhe Henrin, vëllanë e Martinit me tentativën për të tjetërsuar e manipuluar, duke mos e zbardhur ngjarjen qëllimisht, vetëm e vetëm për të shpëtuar fajtorët, të cilët ndryshe nga Martini jetojnë mbi Dhe. E them këtë nisur nga informacionet që njerëzit përkrah meje kanë. Diskutimet dhe debatet që po bëhen nëpër studio televizive nga gazetarë të kronikës, prokurorë, avokatë, dhe ish-punonjës policie. Si dhe i frikësohemi edhe mënyrës sesi ka ndodhur në tragjedi të tjera ku autorët janë ndihmuar t’i shpëtojnë ndëshkimit.

Zonja Nancy!

Kam besim te ju si nëna e një djalit të mrekullueshëm dhe si përfaqësuesja e një Kombi që ka të shenjtë drejtësinë.

Ju lutem më ndihmoni duke ndjekur me seriozitet sjelljen dhe veprimet e institucioneve ligjzbatuese shqiptare që të zbardhin ngjarjen plotësisht, e të vënë para drejtësisë, të gjithë ata që janë përfshirë në krim të drejtpërdrejtë dhe ata që janë në mbrojtje të krimit.

Ne e dimë që Martini nuk kthehet më në këtë jetë mes nesh, por të paktën drejtësia mbi ata që më vranë dhe po më rivrasin djalin, do na japë mundësinë të jemi më të qetë e të fokusohemi të Henri, vëllai i Martinit, i cili nuk e di që Martini, nuk e sheh më, nuk e puth më, e nuk fle me të, si deri para 3 javësh.

Kam besim të Ju.

Me respekt e dhimbje në Shpirt

Angel e Florina Cani”, thuhet në letrën e tyre.

 



bal