ShowBizzz

Ekskluzive/ Alma Çelaj: Kur dita nis në “7 pa 5”

Zgjimet herët në mëngjes për atë tani janë pjesë e rutinës, sepse pa Alma Çelajn nuk mund të nisë dita në Vizion Plus. Edhe pse në “7 pa 5”, biondina bukuroshe uron nga ekrani prej vitesh, “Mirëmëngjesi”,  dita e saj nis 2 orë e gjysmë më parë. Ajo që të bën përshtypje nga biseda me Almën është fakti se, shtatë vitet e eksperiencës në ekran, janë thjesht aperitivi, ajo pranon se e sheh veten në të ardhmen gjithmonë në media. Në këtë intervistë, ajo zbulon Almën në të gjitha dimensionet!

Alma, për një njeri që del çdo mëngjes i kuruar në ekran, kur fle dhe kur zgjohesh?

Kjo është sfida më e madhe që ka një njeri që zgjohet herët, jo vetëm për profesionin tonë. Mundohem shumë që të fle herët, rreth orës 11:00 dhe zgjohem në orën 4:30 gjatë gjithë javës.

Kur zgjohesh, cili është mendimi i parë që të vjen?

Uroj të kap makinën të më dërgojë në Vizion Plus për të kapur orarin e punës. Kjo është gjëja e parë që mendoj dhe e dyta që të marr veshjet që më duhen për të nisur ditën. Se pa veshje, nuk ka një program.

Ekskluzive/ Alma Çelaj: Kur dita nis në “7 pa 5”

Mëngjesi yt i preferuar cili është?

“7 pa 5”, duke qenë se u bë sezoni i katërt që e moderoj së bashku me kolegun tim. Besoj se është rutina ime e preferuar, për shkak se nuk di të bëj ndryshe. Më pëlqen ritmi që të jep emisioni dhe gjithashtu mënyra se si unë e kam organizuar ditën dhe mëngjesin tim, menjëherë sapo përfundoj programin. Puna mund të bëhet gjithmonë e më e dashur, në rast se ti bën atë që do.

Si ka nisur prezantimi për ty?

Ka nisur nga një reklamë ku unë kam realizuar për prezantimin e një produkti. Në atë periudhë isha në fillimet e mia, por që shënjoi të gjithë rrugëtimin tim. Ndonjëherë ka disa hapa të vegjël të cilët duhet t’i hedhim patjetër, për të mbërritur një rrugë më të bukur për veten.

Shkollimi yt lidhet me median?

Nuk jam rastësisht në fushën e gazetarisë, kam përfunduar në Universitetin e Tiranës për gazetari politike në 3-vjeçar dhe më pas Masterin për komunikim. Është diçka që e kam zgjedhur dhe e kam dashur gjithmonë, ndoshta jo televizionin, gazetarinë, pastaj televizioni ishte ai që më zgjodhi mua.

A ka një intervistë të paharrueshme për ty?

Këto ditë jam kthyer pas në kohë, për të kuptuar se si i kam ndërtuar intervistat në 2-3 vitet e para. U bënë 6 vite në media dhe u ktheva te një nga intervistat që e quaj më të ndjera. Intervista me Klajda Gjoshën, në atë periudhë post pandemie ajo erdhi në studio vetëm disa javë pasi kishte humbur babain e saj. Të dëgjoje emocionet reale, dhimbjen dhe gjithçka që ajo komunikoi, me forcën për të treguar mesazhin që jeta vazhdon. Unë e quaj një nga momentet më të bukura, sepse në ekran ne shohim shumë intervista, por shohim shumë pak momente reale dhe njerëzore.

Çfarë mendon se e bën një prezantues të shkëlqyer?

Prezantues, por edhe çdo profesion tjetër mendoj që e bën praktika, pra çdo ditë duke u munduar të mësosh më të mirën. Të mos thuash kurrë që unë i di të gjitha, ky është sekreti për të qenë një prezantues i mirë apo çdo profesionist në secilën fushë.

Po ai që të pëlqen më pak?

Nuk më pëlqejnë prezantuesit të cilët ndonjëherë mundohen që të krijojnë një staturë jo reale. Pra, mundohen të kopjojnë dikë që kanë në mendje, për të arritur një sukses të caktuar. Gjëja më e bukur që mund të bësh në gazetari, e sidomos në prezantim është që të kesh pak nga vetja. Imitim i diçkaje që ke parë së fundmi në ekran, mendoj që është një metodë e pasuksesshme.

Ekskluzive/ Alma Çelaj: Kur dita nis në “7 pa 5”

Çfarë roli luan media sociale në punën tënde?

Të ishte për mua nuk do të doja kurrë të kisha një rrjet social, jam shumë e lodhur nga to. Mendoj se është kthyer në një fasadë, ku të gjithë marrin pjesë. Detyruar nga rrethanat, detyruar nga mënyra se si shoqëria tashmë e shikon, si një pasaportë online prezencën tënde në rrjete sociale. Nga ana tjetër mundohem shumë të informohem për gjithçka që ndodh, kështu që është instrument për profesionin tim.

Çfarë temash je më e apasionuar për të mbuluar?

E kam nisur me temat e kulturës, pastaj kam vijuar me turizëm dhe vërtet e kam dashuruar turizmin. Aktualisht në programin e mëngjesit kushdo që na ndjek e di mjaft mirë që ne prekim çdo gjë që shqetëson qytetarët në përditshmërinë e tyre. Duke qenë se jam fokusuar në gjithçka që ndodh dhe prek jetët e qytetarëve, mendoj që tema të cilat mua më motivojnë, janë dhe tema të cilat japin informacion të dobishëm për ata që na ndjekin. Duke nisur që nga ekonomia, për të vijuar me çështje sociale të shëndetit, të arsimit.

Si e menaxhon kritikën?

Në fillim nuk kam qenë një menaxhuese e mirë e kritikës, edhe pse në pamje të parë bëja sikur e pranoja. Më vriste shumë çdo fjalë apo çdo koment. Me kohën kuptova që vetëm duke marrë kritika për gjithçka që duket në ekran, qoftë në mënyrën se si pyesim, si flasim, si qëndrojmë, dukemi apo buzëqeshim, më kanë bërë të rritem, të përmirësohem dhe jam në një fazë, që e falënderoj këdo që më dërgon një mesazh kritik.

Si e balancon jetën personale me karrierën tënde?

Është shumë sfiduese të kesh kohë për veten, kur je në një program të përditshëm. Por ja dal t’i bëj nga pak të gjitha, të ushqej pasionin për punën dhe të kujdesem për njerëzit e zemrës. Ia dal të kem kohë edhe për njerëzit që dua fort.

Kë telefonon kur mërzitesh?

Mamin, ajo është telefonata e përhershme, e përditshme e pasditeve të mia për t’i thënë se si ka shkuar dita. Është dhe deduktuesja më e mirë në zërin tim nëse jam e lumtur apo jo, nëse ka diçka që shkon apo nuk shkon, edhe pse mundohem shumë që ndonjëherë të mos i them gjithçka që ndodh, për të mos e mërzitur.

Cila ka qenë dita më e vështirë për ty?

Ka qenë një problem i tim ati me shëndetin. Di të them që ne jemi në një moshë ku fillojmë të kujdesemi për prindërit dhe mundohemi që t’ju gjendemi jo vetëm me telefonatat, por dhe kur ata fillojnë të kenë ato problemet e moshës.

Po ajo më e bukur?

Çdo ditë është e bukur. Mundohem ta shikoj ditën me shumë pozitivitet, ndonjëherë më shumë seç duhet, madje i mërzis kolegët me dozat e mia të pozitivitetit. E nis ditën me një buzëqeshje të madhe, kështu që çdo ditë është shumë e bukur për t’u jetuar dhe për të përfituar nga ajo.

Aventura më e bukur që ke bërë?

Çdo udhëtim që marr përsipër. Mundohem që në ato pak pushime vjetore të udhëtoj në një destinacion që nuk e kam parë. Mendoj që është i bekuar kushdo që udhëton dhe i shpenzon paratë për udhëtime.

Muzika që dëgjon kur je e mërzitur?

Jam një fanse e madhe e Lana Del Rey dhe Billie Eilish, por dëgjoj edhe muzikë rock. Është një miks, por kushdo që i ka hedhur një sy playlistës sime të muzikës më quan një njeri melankolik.

Filmi që të bën të qash sa herë e sheh?

Unë i dashuroj filmat, mundohem që çdo ditë të shoh një film dhe këtë ja kam premtuar vetes, sepse e quaj një dritare të artit që më jep shumë shpirtërisht, edhe marr emocione jashtëzakonisht të bukura. Një film së fundmi që mua më ka bërë vërtetë të qaj, ka qenë “Joker 2”, sidomos mënyra se si trajtohet shëndeti mendor dhe se si përkthehet gjithçka ndodh me ty ndikuar nga shoqëria.

Libri më i bukur që ke lexuar?

Është “100 Vjet Vetmi” e Gabriel Garcia Marquez dhe kushdo që e ka lexuar e di për çfarë e kam fjalën. Gjithashtu do të doja të veçoja gjithçka që ka shkruar i madhi Kadare, sidomos për shkak të gjuhës që përdorur e cila është e jashtëzakonshme.

Ku e sheh veten pas 10 vitesh?

E shoh veten duke bërë atë që bëj aktualisht. Është çfarë dua më së shumti, nuk ka rëndësi në cilin kënd të medias jam, për sa kohë bëj gazetari, do të jem e lumtur dhe e përmbushur në atë çfarë bëj dhe kam qëllim.

Po në atë personale?

Do t’i plotësoja dëshirën nënës sime të kem një familje, të kem ndërtuar edhe unë atë folenë e bukur. Ime më tani do të jetë shumë e lumtur, që po e dëgjon këtë.

 



bal