Lajme

Dy persona të lënduar nga aksidenti në hyrje të Pozhoranit

Dy persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur pasditen e së martës në hyrje të fshatit Pozhoran të Vitisë.

Lajmin për tëvë1.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani i cili ka thënë se njëri nga të lënduarit është duke u transferuar me autoambulancë në Qendrën Emergjente në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ndërsa tjetri për në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se sipas mjekut i cili ka qenë në vendin e ngjarjes dy të lënduarit për momentin janë jashtë rrezikut për jetë.

“Me datën 31.12.2024 rreth orës 15:03 në aksin rrugor Ferizaj-Gjilan, saktësisht në hyrje të fshatit Pozheran ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin të përfshirë kanë qenë një autobus për transportin e udhëtarëve dhe një automjeti transportues (kombi). Si pasojë e këtij aksidenti përpos dëmeve materiale lëndime trupore kanë pësuar vozitësi dhe pasagjeri i automjetit transportues. Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetues policor të aksidenteve, zjarrfikësit si dhe personeli mjekësor. Dy të lënduarit me autoambulancë janë duke u transferuar për tretman  mjekësorë njëri në Qendrën Emergjente në Spitalin Rajonal të Gjilanit dhe tjetri për në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.Sipas mjekut i cili ka qenë në vendin e ngjarjes të dy të lënduarit për momentin janë jashtë rrezikut për jetë.Shkaqet e aksidentit po hetohen nga Njësiti Raonal i Trafikut Rrugor në Gjilan”, ka thënë Osmani.