Lajme

Wiley e boton në gjuhën angleze “Psikoterapinë e Kohezionit të Brendshëm” të autorit Fitim Uka

Shtëpia botuese prestigjioze Wiley e ka botuar në gjuhën angleze librin “Psikoterapinë e Kohezionit të Brendshëm” të autorit Fitim Uka.

Këtë e bëri të ditur vetë Uka në një postim në Facebook duke shkruar se “Kohezioni i Brendshëm” ka folur fillimisht shqip, ndërkaq sot, ideja që ka për afiliacion Universitetin e Prishtinës, do të jetë pjesë e bibliotekave universitare në mbarë botën.

“Nga viti 2022 konceptualizimi ynë është prezantuar në ligjërata të ftuara, konferenca dhe simpoziume, ndërsa nga sot është edhe trashëgimi e shkruar e psikoterapisë globale”, shkroi ai.

Fitim Uka – doktor shkence i psikologjisë thotë se nuk e ka besuar që ky libër do të rrugëtonte kaq suksesshëm dhe të arrinte kaq larg.

“Kritika e konsideron: “një qasje inovative dhe praktike”, “një burim të pazëvendësueshëm”, “një qasje kreative dhe të dobishme” dhe “një revolucion integrativ në psikoterapi”… dhe unë jam pa fjalë!”.

Njëheri edhe ish-deputet i LVV-së, Uka është shprehur më i lumtur se kurrë, si krenar, por edhe falënderuar ndaj secilit që dhanë kontribut për librin.

“Në shkurt na pret një superpromovim i këtij botimi! P.S. Siç thonë zakonisht: ky është vetëm fillimi dhe s’keni parë gjë akoma!”, tregon Uka.

Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm është një qasje e re eklektike në Psikoterapi. Perspektiva të ndryshme teorike dhe praktika të suksesshme intervenimi janë shkrirë në konceptualizimin e Psikoterapisë së Kohezionit të Brendshëm dhe janë vërtetuar me hulumtimin e mirëfilltë shkencor. Tanimë, Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm është jo vetëm një libër i vlefshëm, por edhe një qasje që promovohet në të gjithë botën, përfshirë edhe Asociacionin e Psikologëve Amerikan (Divizionin për Avancimin e Psikoterapisë). /teve1.info./