
2
Komentet e mëparshme të Cristiano Ronaldos mbi ndryshimet midis gjyqtarëve në Angli dhe Spanjë rikthehen në vëmendje pas kartonit të kuq të diskutueshëm të Jude Bellingham kundër Osasunës.
Duke qenë në epërsi 1-0 në La Liga pas një goli të Kylian Mbappé, Bellingham u tërbua nga një vendim i gjyqtarit Jose Luis Munuera Montero dhe kamerat e kapën duke u ankuar me nervozizëm ndaj tij.
Bellingham nuk është i panjohur për gjuhën e tij të ashpër në fushë, por Montero e interpretoi si mungesë respekti dhe e përjashtoi atë në minutën e 39-të.
Lojtarët e Real Madridit, përfshirë kapitenin Luka Modrić, u përpoqën të bindnin gjyqtarin të ndryshonte vendimin, por ai mbeti përfundimtar. Përjashtimi i tij doli të ishte vendimtar, pasi Los Blancos barazuan 1-1 pas një penalltie të Ante Budimir në pjesën e dytë.
Bellingham tha se “kurrë nuk e ka ofenduar gjyqtarin” dhe thjesht kishte thënë “f*** off”, ndryshe nga ajo që ishte shkruar në raportin e ndeshjes. Ndërkohë, trajneri Carlo Ancelotti pretendoi se situata ishte një keqkuptim gjuhësor mes mesfushorit dhe gjyqtarit.
“Mendoj se gjyqtari nuk e kuptoi anglishten e Jude Bellingham,” tha Ancelotti, sipas Fabrizio Romano. “Ai tha ‘f*** off’, jo ‘f*** you’… është një ndryshim i madh. Nuk dua të flas më për gjyqtarin sepse dua të jem në stol javën tjetër.”
Bellingham ka qenë pjesë e një incidenti të ngjashëm edhe më parë, kur u pezullua për dy ndeshje sezonin e kaluar për përdorimin e një sharjeje ndaj gjyqtarit gjatë një ndeshjeje kundër Valencias, ku arbitri i dha fund ndeshjes para se Real Madrid të shënonte.
Pas kësaj polemike, një paralajmërim nga golashënuesi më i mirë në historinë e Real Madridit, Cristiano Ronaldo, për rreptësinë e gjyqtarëve në Spanjë, u bë përsëri viral.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë kishte shpjeguar se në Angli, shprehja “f*** off” nuk ndëshkohet, ndryshe nga Spanja, ku Bellingham e përjetoi këtë rregull me përjashtimin e tij.
“Luaja në Angli për shumë vite. Për shembull, kur ka një faull, anglezët thonë shpesh ‘f*** off’ dhe gjyqtarët nuk thonë asgjë. Por nëse e thua këtë këtu, të përjashtojnë menjëherë”, tha në një intervistë të vitit 2018 për La Sexta, Ronaldo.
ks