ShowBizzz

Fero dhe avokatja e tij reagojnë me deklaratë zyrtare pas lajmeve në media për ngritjen e aktakuzës

Pas publikimit në media të aktakuzës së ngritur ndaj reperit të njohur Feronit Shabani, i njohur si Fero, ka ardhur edhe reagimi i tij i parë zyrtar. Përmes një deklarate të shpërndarë në Instagram, e cila mban emrin e avokates mbrojtëse Bedrie Berisha Rexhepi, reperi ka shprehur shqetësimin e tij për mënyrën si është trajtuar rasti në publik, duke akuzuar mediat për shkelje të ligjit dhe manipulim të opinionit.

“Në lidhje me publikimin e fundit të bërë nga një portal medial më datë 2 korrik 2025, theksojmë me shqetësim se informatat e publikuara përmbajnë elementë të qartë të shkeljes së ligjit dhe të procedurës penale”, thuhet në fillim të reagimit.

Sipas deklaratës, seanca e datës 25 qershor ka qenë e mbyllur për publikun dhe çdo shpërndarje e dokumenteve ose e të dhënave nga ajo seancë përbën cenim të rëndë të një procesi të drejtë gjyqësor.

Në reagim thuhet se aktakuza ndaj Feros nuk ka marrë ende formë të prerë dhe publikimi i saj është i papranueshëm dhe i motivuar nga interesa që “shkojnë përtej drejtësisë”.

Në këtë deklaratë, Fero bën të ditur se edhe pala tjetër në procesin gjyqësor – pra ish-bashkëshortja e tij, modelja Arbenita Ismajli – është subjekt i ndjekjes penale nga Prokuroria Themelore në Gjilan, duke përmendur aktakuzën dhe aktvendimin për fillimin e hetimeve ndaj saj.

“Këto përpjekje të koordinuara për të diskredituar klientin tim nuk do ta ndalin asnjëherë dëshirën e tij të drejtë për të kërkuar vajzën e tij N.”, thuhet më tej në tekst.

Deklarata përmbyllet me tone emocionale, duke theksuar se Fero nuk do të ndalet në përpjekjet e tij për të rifituar lidhjen me të bijën: “Zëri i tij nuk do të heshtë. Kujtimi i tij nuk do të fshihet. Ai do të vazhdojë të kërkojë të bijën derisa ajo derë të hapet, derisa ai përqafim të ndodhë. Drejtësia ende ka zë dhe zemër në këtë vend.”

Reagimi i Feros vjen në një kohë kur ndaj tij është ngritur një aktakuzë për dhunë në familje, ngacmim seksual dhe kanosje, të cilat ai i ka mohuar vazhdimisht publikisht. Rasti vazhdon të trajtohet në instancat gjyqësore, ndërkohë që opinioni publik mbetet i ndarë mes akuzave dhe deklaratave mbrojtëse. /Telegrafi



ks