
1
Policia e Kosovës me anë të një komunikate sqaruese lidhur me rastin e Agon Zejnullahut, 27-vjeçarit që “u vra nga pakujdesia” nga pesë policë sikurse po e kualifikon edhe si vepër penale Prokuroria, ka thënë se të njëjtit i është konfiskuar substancë narkotike e llojit pluhur.
Megjithatë, këtë e ka demantuar vëllai i të ndjerit, Alban Zejnullahu. Ky i fundit në emisionin ‘Pressing‘ në T7 ka deklaruar se një çantë që kishte me vete vëllai i tij i është dorëzuar familjarëve, shkruan Insajderi.
“Këta kanë thënë që i kanë gjetë do pluhun a po? Ku e analizun kur policia kanë qenë në emergjencë, policia na e kanë dorëzu çantën neve. A bon me ditë analizën, pse pajisjet tjera i ka në çantë? Çantën unë e kam. S’e kuptoj çfarë analize e kanë bërë me atë pluhur. Nëse janë qaq ekspertë me analizu brenda në emergjencë policia, okej. Çanten na e kemi marrë në emergjencë“, deklaroi ai.
I njëjti ka thënë se Agonit i mungonte edhe një zinxhir edhe një orë dore në vlera mijëra euro.
“I mungon një zinxhir në vlerë mbi dy mijë euro dhe një orë në vlerë prej një mijë euro që nuk është, mundeni me e pa edhe në video zinxhirin. Krejt çka kanë pru janë 70 cent në raport edhe do tesha“.
Policia në komunikatën sqaruese ka bërë të ditur se në vendngjarje pranë personit është gjetur një substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike.
“Në vendngjarje te personi janë gjetur në posedim gjësende personale dhe substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike, e cila është dërguar për ekzaminim“, tha ndër të tjera në njoftim. /Insajderi