Lajme

Musliu alarmon për mungesë barnash në QKUK për pacientët me kancer

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka ngritur shqetësimin serioz për krizën në sistemin shëndetësor, konkretisht mungesën e barnave për pacientët me kancer në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ajo e ka cilësuar situatën si alarmante dhe ka kërkuar urgjentisht veprim nga institucionet përgjegjëse.

Sipas Musliut, kjo gjendje është e papranueshme, sidomos në një kohë kur buxheti për shëndetësi është rritur ndjeshëm.

“Mungesa e barnave për pacientët me kancer nuk është thjesht një problem teknik apo një lajm i zakonshëm. Është një thirrje e qartë për ndërgjegjësim dhe veprim të menjëhershëm,” ka deklaruar ajo.

Musliu ka theksuar se për vitin aktual janë ndarë 105 milionë euro për materiale shpenzuese, barna esenciale dhe shërbime të tjera – që do të thotë rreth 45.6 milionë euro më shumë se vitin e kaluar.

Në këtë kontekst, ajo ka shtruar pyetjen thelbësore: Si është e mundur që me më shumë mjete financiare, pacientët kanë më pak qasje në trajtim?

“Pacientët nuk mund të presin. Mjekët nuk mund të punojnë pa barna. E institucionet nuk mund të justifikohen me heshtje. Paaftësia apo papërgjegjësia nuk guxojnë të kthehen në normë”, ka theksuar Musliu.

Ajo i ka bërë thirrje institucioneve shëndetësore dhe vendimmarrësve që të japin transparencë të plotë, të tregojnë përgjegjësi, dhe mbi të gjitha, të ofrojnë zgjidhje të menjëhershme për të garantuar trajtimin e pacientëve me kancer në Kosovë.

“Heshtja në këso raste është bashkëfajësi,” përfundon ajo.

Ky është postimi i plotë:

Mungesa e barnave për pacientët me kancer në QKUK është alarmante!

Ky nuk është thjesht një lajm i radhës, është një thirrje për ndërgjegjësim dhe veprim e mbi të gjitha për përgjegjësi. Pacientët me kancer në Kosovë po përballen me një krizë që prek drejtpërdrejt jetën e tyre.

Kjo po ndodh në kohën kur buxheti për materiale shpenzuese, barna esenciale dhe shërbime të tjera shëndetësore është 105 milionë euro qe do te thote rreth 45.6 milionë më shumë sesa vitin e kaluar!

Si është e mundur që me më shumë mjete financiare, pacientët kanë më pak qasje në trajtim?

Sëmundja nuk pret, as mjekët nuk duhet të presin për furnizime, e as pacientët nuk duhet të vuajnë nga paaftësia ose papërgjegjësia institucionale.

Heshtja është bashkëfajësi.

Kërkojmë transparencë, përgjegjësi dhe ZGJIDHJE urgjente!