Lajme

OVL-UÇK reagon ashpër ndaj Popoviqit: Nuk heshtim ndaj fyerjeve kundrejt sakrificës për liri

Organizata e Veteranëve të Luftës e UÇK-së ka reaguar ashpër ndaj vizitës dhe fjalimit që mbajti përfaqësuesi i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovë”, Igor Popoviq.

Popoviq, në një fjalim të mbajtur sot në Rahovec, ku mes të tjerash ofendoi rëndë luftën e UÇK-së, shkruan IndeksOnline.

“Ky është mentaliteti i vartësve të Millosheviqit, që sot përfaqësohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ish-ministër i atij regjimi gjenocidal.

Çdo tentativë për të provokuar, për të njollosur UÇK-në dhe për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare është e papranueshme dhe duhet ndalur me vendosmëri” thuhet në reagimin e OVL-UÇK.

Nga ana tjetër, raportohet se Popoviq është arrestuar nga autoritetet vendore dhe së shpejti pritet të dëbohet nga Republika e Kosovës.

Ky është reagimi i plotë i OVL-UÇK-së:
Kategoritë e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së, reagojnë ashpër ndaj pranisë në Kosovë të ndihmësit të Petar Petkoviqit, i njohur për gjuhë fyese dhe urrejtje ndaj UÇK-së dhe luftës sonë çlirimtare.

Ky është mentaliteti i vartësve të Millosheviqit, që sot përfaqësohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ish-ministër i atij regjimi gjenocidal.

Çdo tentativë për të provokuar, për të njollosur UÇK-në dhe për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare është e papranueshme dhe duhet ndalur me vendosmëri.

Ne, kategoritë e dala nga lufta, nuk do të heshtim ndaj fyerjeve që synojnë të fyejnë sakrificën për liri dhe gjakun e dëshmorëve dhe martirëve tanë.