Lajme

Incident i rëndë në Skenderaj- Prishet luhatësja, lëndohen gjashtë persona, mes tyre tre të mitur

Gjashtë persona, përfshirë tre të mitur, kanë pësuar lëndime trupore pas një incidenti në një park lojërash në Skenderaj.

Ngjarja ka ndodhur të premten mbrëma, më 19 korrik, rreth orës 23:20, në rrugën “Fatmir Dibra”, ku një luhatëse është prishur papritmas, duke bërë që personat që ndodheshin mbi të të rrëzohen.

Sipas Policisë së Kosovës, në mesin e të lënduarve janë pesë femra dhe një mashkull, të gjithë shtetas kosovarë. Fillimisht, viktimat janë dërguar në Qendrën Emergjente në Skenderaj, ndërsa tre prej tyre janë transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në Spitalin e Mitrovicës.

Lidhur me rastin, policia ka intervistuar dy persona – pronarin dhe punëtorin e parkut të lojërave. Me vendim të prokurorit, të dy janë liruar dhe rasti është cilësuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, duke vazhduar në procedurë të rregullt.