Lajme

Vala ekstreme e të nxehtit godet Spanjën – temperaturat mbi 42 gradë

Spanja po përballet këtë javë me valën më të fortë të nxehtësisë së verës, ndërsa temperaturat pritet të kalojnë 42 gradë Celsius. Agjencia Meteorologjike spanjolle ka lëshuar alarme për më shumë se 30 provinca në të gjithë vendin.

Një nga rajonet më të goditura deri të dielën do të jetë Andaluzia, veçanërisht Kordoba, ku është paralajmëruar një rritje ekstreme e temperaturave për të martën, raporton AP.

Agjencia Shtetërore Meteorologjike (AEMET) ka aktivizuar nivelin e alarmit për temperatura që mund të arrijnë deri në 42 gradë Celsius në disa zona të Luginës së Guadalquivir, kryesisht midis orës 13:00 dhe 21:00.

Sipas parashikimeve të AEMET, vala e të nxehtit do të zgjasë të paktën deri më 10 gusht, megjithëse ka mundësi të vazhdojë edhe më gjatë.

Përveç Kordobës, provincat më të prekura nga kjo vapë përvëluese janë edhe Sevilja, Jaen dhe Badajoz në jug të Spanjës.