Lajme

Tërmet 6 ballë në lindje të Rusisë, dridhjet ndihen deri në këtë vend

Një tërmet me magnitudë 6 ballë ka goditur rajonin lindor të Ishujve Kuril në Rusi, ka bërë të ditur Qendra Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC).

Sipas raportimeve nga Reuters, tërmeti u regjistrua në një thellësi prej 10 kilometrash nën sipërfaqe. Lëkundjet sizmike u ndjenë deri në Hokkaido të Japonisë, që ndodhet pranë arkipelagut Kuril, një zonë që ndan Detin e Okhotskut dhe Oqeanin Paqësor.

Deri më tani nuk raportohet për viktima apo dëme materiale, ndërsa autoritetet ruse dhe japoneze nuk kanë dhënë ende detaje zyrtare nëse ekziston rreziku i një cunami si pasojë e këtij tërmeti.

Rajoni lindor i Rusisë njihet për aktivitet të shtuar sizmik, ku vetëm më 30 korrik, një tjetër tërmet i fuqishëm goditi Gadishullin Kamchatka, duke shkaktuar paralajmërime për cunami në Rusi, Japoni dhe SHBA.