Lajme

Zemërimi kundër Vuçiq s’ndalon, edhe sonte protesta e revoltë në mbarë Serbinë: Lufta vazhdon!

Protestat në Serbi kundër politikave të pushtetit aktual, s’kanë të ndaluar.

Mediat serbe shkruajnë se studentëve dhe qytetarëve u është bërë thirrje të mblidhen sot në mbrëmje në sheshet e disa qyteteve të Serbisë, duke hyrë kështu në ditën e pestë të protestave.

Deri tani janë shpallur koha dhe vendi i tubimit për Novi Sad, Nish, Krushevac dhe Leskovac.

Në Novi Sadi thirrjet janë bërë për një protestë sonte në orën 20:00 para Rektoratit, duke shkruar në Instagram:

”Sonte po nxjerrim mbeturinat që janë lënë deri në fund. Ata mendojnë se mund të na trembin, por çdo arrestim sjell liri të re, dhe çdo sulm i policisë forcon edhe më shumë vendosmërinë tonë! Ne jemi populli dhe jemi kudo. Ata janë pak dhe fshihen në errësirë. Novi Sadi merr frymë përsëri sonte. Lufta vazhdon, liria nuk vonohet. Sonte pastrojmë sërish”. shkruhet në postim

Në Nish, studentët thirrën për një tubim në orën 21:00 te ‘Crveni pevac’

Në orën 20:00, protesta do të mbahen gjithashtu në Leskovac, Krushevac, Inđija dhe Kikinda.

Për kujtesë, sipas syri, studentët dhe qytetarët po protestojnë prej katër ditësh në mbarë Serbinë.

Protestat e fundit janë nxitur nga disa incidente në qyteza të Vojvodinës, më 12 gusht, kur mbështetësit qeveritarë i kanë sulmuar protestuesit me fishekzjarrë.

Situata është përshkallëzuar edhe nga veprimet e zyrtarëve policorë atë ditë, të cilët protestuesit i kanë akuzuar se nuk kanë bërë asgjë për t’i parandaluar sulmet.

Policia në anën tjetër, i ka hedhur poshtë këto akuza, dhe ka thënë se ajo i ka parandaluar disa trazira të mëdha.