
1
Prokuroria Speciale ka kërkuar urdhër-arrest ndaj Goran Rakiqit, ish-kryetar i Listës Serbe.
Kërkesa i është drejtuar Gjykatës Themelore e Prishtinës pasi politikani serb nuk është paraqitur pas tri ftesave të dërguara nga Prokuroria Speciale lidhur me rastin e vendosjes së barrikadave në pjesën veriore të vendit, në vitin 2022.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta. Ajo tha se Rakiq “është ftuar tri herë, por nuk është paraqitur, fillimisht duke arsyetuar mungesën me probleme shëndetësore, ndërsa për dy ftesat e tjera nuk ka dhënë ndonjë arsyetim”.
Arsyeja ka të bëjë me vendosjen e barrikadave në pjesën veriore të vendit, gjatë vitit 2022, kur Rakiqi ishte edhe deputet i Kuvendit të Kosovës.
“Me qëllim të sigurimit të prezencës së G.R, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për lëshimin e urdhër-arrestit ndaj tij”.
Nga Prokuroria gjithashtu konfirmuan se tashmë veçse ka përfunduar intervistimi i të pandehurve Zllatan Ellek, Igor Simiq dhe Sllavko Simiq.