
1
Mërgata shqiptare e mbështetur nga kategoritë e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë organizuar vazhdimin e protestës kundër Gjykatës Speciale e cila filloi në Prishtinë.
Më 14 shtator me fillim nga ora 14:00, protesta do të mbahet pikërisht në Hagë, aty ku ndodhen në paraburgim Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi.
Aktivisti dhe veprimtari Uk Lushi, ka ndarë detaje për këtë protestë, duke shtuar se, “Më 14 shtator 2025 Haga do të dëgjojë buçimën e zërit të popullit të Kosovës nga çdo cep i botës.” – duke ftuar kështu mërgatën t’i bashkangjiten, protestës.
Njoftimi i plotë:
Kosova e ka formuar Gjykatën Speciale për të qenë e drejtë dhe për të hedhur poshtë akuzat e anti-amerikanit dhe anti-shqiptarit Dick Marty.
Akuzat e rrejshme të Dick Martyt kundër UÇK-së janë hedhur në koshin e plehërave nga Gjykata Speciale, mirëpo në proceset tjera kjo gjykatë ka bërë shkelje dhe cenime të papranueshme.
Gjykimi kryesor kundër themeluesve të shtetit Thaçi & Co. në fakt është dashur të mbyllet me verdikt të pafajshmërisë ditën që Prokuroria Speciale ka kryer pjesën e saj të procedurës sepse ajo ka dështuar të mbajë në këmbë cilëndo pikë të aktakuzës.
Kosova dhe liderët e Kosovës megjithatë kanë vendosur të heqin çdo tis dyshimi dhe në pjesën e tyre të mbrojtjes do të paraqesin faktet e komandantëve të Amerikës e NATO-s kundrejt falsititeteve dhe gënjeshtrave të shtetit pushtues të Serbisë e Miloševićit.
Prandaj, populli i Kosovës, veteranët e UÇK-së dhe çdo njeri që e di drejtësinë e luftës, fatkeqësisht edhe ngase Kuvendi dhe institucionet e Kosovës nuk kanë kryer obligimet ta mbikëqyrin abuzimin legal të Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale, kemi vendosur të vazhdojmë angazhimin qytetar duke protestuar dhe kërkuar nga Specialja lirimin sa më të shpejtë të formuesve të shtetit të Kosovës.
Faktet, provat dhe argumentet tregojnë që ata duhet të lirohen në emër të popullit të Kosovës dhe t’i kthehen popullit për ta vazhduar punën në përparimin dhe forcimin e Kosovës.
Bazuar në këto të vërteta,
asnjë prokurori e as trup gjykues nuk mund bjen tjetër verdikt përpos lirimit të udhëheqësve të Kosovës të cilët për Kosovën pranuan që UÇK të kalojë nëpër filtrin e katërt të drejtësisë, pas atyre të UNMIK-ut, Eulex-it dhe vetë shtetit tonë.
Më 14 shtator 2025 Haga do të dëgjojë buçimën e zërit të popullit të Kosovës nga çdo cep i botës.
Gjykatës do t’i thuhet se nuk do të lejohet asgjë tjetër në emër të popullit përpos drejtësisë dhe lirisë së Kosovës!
Historia nuk mund ndryshohet.
Rrnoftë shteti Kosovës ku Gjykata Speciale duhet të vendoset sa më shpejt dhe të ndjekë e gjykojë kriminelët serbë, romë dhe të gjitha etnive.