
1
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sanksionuar dy gjyqtarë dhe dy prokurorë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, në mesin e të cilëve ish-gjykatësin e Procedurës Paraprake në Gjykatën Speciale në Hagë, Nicolas Guillou.
Përveç Guillout, të sanksionuar janë Kimberly Prost, Nazhat Shameem Khan dhe Mame Mandiaye Niang.
Guillou është vënë nën sanksionet për lëshimin e urdhërarrestit ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ish-ministrit të mbrojtjes, Yoav Gallant. Kurse, Prost për shkak të lëshimit të autorizimit të GJNP-së për hetim të personelit amerikan në Afganistan.
Prokurorët Shameem Khan dhe Niang janë sanksionuar me arsyetimin se kanë mbështetur veprimet kundër Izraelit dhe urdhërarrestet ndaj Netanyahut e Gallantit.
Në vendimin e Departamentit të Shtetit thuhet se të gjitha asetet në pronësi të këtyre personave në SHBA “janë bllokuar dhe duhet të raportohen në Zyrën e Kontrollit të Aseteve të Huaja të Departamentit të Thesarit”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka cilësuar GJNP-në si “kërcënim për sigurinë kombëtare”, tek ka shtuar se “ajo është përdorur si instrument për luftë ligjore” kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit.
“Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta dhe të palëkundura në kundërshtimin tonë ndaj politikës së GJNP-së, abuzimit të fuqisë, shpërfilljes së sovranitetit tonë kombëtar dhe tejkalimit të kompetencave ligjore”, ka thënë Rubio.
Rundi i dytë i sanksioneve është ekzekutuar më pak se tre muaj pas vendimit paraprak të administratës amerikane për të vendosur sanksione ndaj katër gjyqtarëve të ndryshëm të GJNP-së.
Gjyqtarët e GJND-së kishin lëshuar fletarrestime për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant dhe udhëheqësin e grupit militant palestinez të Hamasit, Ibrahim al-Masri, në nëntorin e vitit të kaluar, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit në Rripin e Gazës.