ShowBizzz

15-vjeçari Owen Cooper bëhet fituesi më i ri mashkull i çmimit Emmy

Ylli i “Adolescence”, Owen Cooper u bë aktori më i ri mashkull që fiton një Emmy, duke e fituar çmimin për rolin e tij në dramën britanike të Netflix.

Cooper, i cili kishte bërë histori si personi më i ri i nominuar ndonjëherë për aktor mbështetës në një serial të kufizuar, i tha audiencës në Çmimet e 77-ta Emmy se ”tri vite më parë isha askushi”.

“Sinqerisht, kur fillova këto kurse drame disa vjet më parë, nuk prisja të isha as në Shtetet e Bashkuara e lëre më këtu”, tha aktori anglez në fjalimin e tij pas pranimit të çmimit.

“Por, mendoj se sonte vërteton se nëse dëgjon dhe përqendrohesh dhe del nga zona jote e rehatisë, mund të arrish çdo gjë në jetë”, theksoi ai.

Yjet e Hollivudit mbërritën në teatrin ”Peacock” në Los Anxheles të dielën në mbrëmje për ceremoninë, të drejtuar nga komediani amerikan Nate Bargatze.

“Shkruhet emri im në këtë statujë, por në të vërtetë u përket të gjithë njerëzve që punuam bashkë”, tha Cooper.

Ylli tjetër i filmit, Erin Doherty fitoi çmimin për aktoren më të mirë mbështetëse në një serial të kufizuar.

“Severance” u nominua 27 herë, ndërsa miniseriali dramatik kriminal ”The Penguin” pati 24 nominime dhe “Adolescence” mori 13.

Drama britanike, e cila dominoi listën më të shikuar të Netflix në fillim të këtij viti, përqendrohet në historinë e një djali 13-vjeçar të arrestuar për vrasjen e një shoku klase.

Regjisori i “Adolescence”, Philip Barantini, mori çmimin Emmy për regji të shkëlqyer për një serial ose film të kufizuar ose antologjik, ndërsa shkrimtarët Jack Thorne dhe Stephen Graham fituan për skenar të shkëlqyer në të njëjtën kategori.