ShowBizzz

Mozzik: Sekuestrimi i orës ‘Richard Mille’ ishte sulm politik, disa zyrtarë të VV-së kanë çështje personale me mua

Reperi Mozzik ka reaguar sërish pas zhurmës së madhe të krijuar rreth orës “Richard Mille”, e cila u sekuestrua nga Dogana e Kosovës dhe më pas rezultoi e falsifikuar.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se rasti është i motivuar politikisht dhe se disa zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë “çështje personale” me të.

“Moti kohë disa nga VV-ja e kanë personale me mua. Kjo që ndodhi me orën këto ditë ishte një lojë me skenar nga unë, por e vërteta është se ata e kanë bërë çështje personale me mua prej shumë kohësh – dhe këtë e dini edhe vetë,” ka shkruar Mozzik.

Ai ka akuzuar drejtpërdrejt ministrin e Financave në detyrë, Hekuran Murati, dhe kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, duke thënë se zyrtarët e Doganës në Aeroportin e Prishtinës kanë qenë nën presion nga ta për ta ndalur.

“Personat që ishin në detyrë atë natë, mos u frikësoni! Dilni dhe tregoni hapur, ashtu siç ma keni thënë mua vetë, që keni pasur presion prej Hekuranit e Dimalit për të më ndalur në aeroport. Dilni dhe kallxoni se kjo ishte sulm politik – sepse nuk ka asgjë për t’u turpëruar,” ka shtuar ai.

Mozzik ka theksuar se të ardhurat e tij nuk kanë ardhur nga droga apo hajnia, por vetëm nga muzika dhe talenti i tij, duke ironizuar se “me orë fallco nuk mundet askush ta tatimojë me mijëra euro”.

Në fund, ai i ka drejtuar pyetje kryeministrit të Kosovës, duke thënë se dëshiron të dijë nëse ky është në dijeni për, siç i ka quajtur ai, inatet personale të disa zyrtarëve të Vetëvendosjes ndaj tij.