Pas deklaratës së nënkryetares së LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se “Vjosa Osmani është personi fajtor pse LDK-ja në vitin 2021 ka rënë në 12 për qind”, ka reaguar Hafiz Shala publicist dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.
Në një postim të tij, Shala ka mbrojtur Presidenten Osmani, duke theksuar se ajo po e përfaqëson shtetin në mënyrë brilante në politikën e jashtme dhe ka fituar simpatinë e shumë udhëheqjeve ndërkombëtare, me theks të veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“LDK-ja ia ka mbyllur derën, prandaj rruga që ju e keni zgjedhur nuk është ajo që e ka zgjedhur znj. Presidente Vjosa Osmani. Të injorosh një zonjë që po e përfaqëson shtetin në mënyrë brilante në arenën ndërkombëtare, e cila ka fituar simpatinë e shumicës së shteteve mike, me theks të veçantë të SHBA-së – mikut, çlirimtarit dhe gardianit të Dardanisë dhe kombit shqiptar në përgjithësi – është e pakuptueshme,” ka shkruar Shala.
Ai ka shtuar se Presidentja duhet të zgjidhet përmes referendumit gjithë popullor, duke theksuar bindjen se “nuk ka kandidat që mund të zgjidhet para saj”.


