Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së deputetit të VV-së, Dimal Basha, i cili krahasoi rastin Astrit Dehari me vuajtjet gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Në emisionin “Info Nata” në Teve1, Haradinaj tha se Basha nuk ka të drejtë morale të bëjë një krahasim të tillë, duke e akuzuar atë për hipokrizi dhe mungesë përvoje personale nga ajo periudhë.
“Dimal Basha nuk i di as vuajtjet e Millosheviqit, se po t’i dinte, do të sillej vetë më mirë. Ai në kohën e Millosheviqit ka studiuar, ka doktoruar dhe ka shkruar kundër UÇK-së për hatër të Millosheviqit. Nuk mund të bëjë ai këso lloj krahasimesh, sepse, përveç që nuk i di, as nuk i ka përjetuar,” tha Haradinaj.
Sipas tij, Basha “nuk e ka provuar regjimin e Millosheviqit” dhe për këtë arsye po përpiqet të krijojë mjegull rreth rastit Dehari.
“Ai ka qenë i vogël në kohën e Millosheviqit, e vetmja gjë që ka provuar është shkollimi. Prandaj po përpiqet ta pshtjellojë dhe ta bëjë mjegull këtë çështje, sepse në mjegull shihet më lehtë,” u shpreh Haradinaj.
Haradinaj e akuzoi Bashën dhe qeverinë aktuale për mungesë transparence dhe përpjekje për ta politizuar rastin Dehari, duke e krahasuar me mënyrën si, sipas tij, LDK ka trajtuar rastet e vrasjeve politike në të kaluarën.
“Dimal Basha nëse do të bëjë diçka, le të na shpjegojë dhe të japë llogari për rastin Dehari – të na tregojë si vdiq dhe si u humbën provat në pushtetin e tij, me ministren e tij të Drejtësisë, me kryeministrin e tij dhe me ministrin e Mbrojtjes. Njëjtë si LDK-ja dikur, po bëjnë viktimizime me raste politike, për përfitime personale,” tha Haradinaj.
Sipas tij, qeveria Kurti ka përdorur rastin Dehari për “kauza dhe përfitime politike”, pa sjellë asnjë rezultat konkret në drejtësi.
“Me ministren e vet, me kryeministrin e vet – nuk sollën asgjë. Vetëm krijuan kauzë për përfitime të tyre personale,” përfundoi Haradinaj.


