Gjykata Themelore në Pejë ka njoftuar se ka refuzuar pjesërisht si të pabazuar kërkesëpadinë për shpifje të ngritur nga ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ndaj deputetit Veton Berisha.
Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, rasti është trajtuar nga Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Civil i Gjykatës Themelore në Pejë.
“Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Civil, ka refuzuar pjesërisht si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruar nga paditësi Elbert Krasniqi kundër të paditurit Veton Berisha, të dy me vendbanim në Komunën e Pejës, në çështjen kontestimore me bazë juridike shpifje,” thuhet në njoftimin e gjykatës.
Po ashtu, gjykata ka hedhur një pjesë të kërkesëpadisë si të palejuar (pasafatshme) për disa nga deklaratat e pretenduara.
“Gjykata ka hedhur pjesërisht kërkesëpadinë si të palejuar (pasafatshme) për disa nga deklaratat e pretenduara, ndërsa ka obliguar paditësin që të paditurit t’i kompensojë shpenzimet e procedurës kontestimore në shumën prej 374 euro, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit, nën kërcënimin e përmbarimit me detyrim,” thuhet më tej në njoftim.
Sipas vendimit, palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktgjykimi.
“Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi, Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes kësaj Gjykate,” përfundon njoftimi i Gjykatës Themelore në Pejë.


