4
Fitim Thaqi, i lindur në fshatin Sapniq të Rahovecit, sot është një prej emrave më të spikatur të tregtisë shqiptare në Gjermani. Rruga e tij ka nisur në vitin 2007, kur u shpërngul në Bayern për të ndërtuar një jetë të re dhe në pak vite e shndërroi përvojën e tij në një biznes serioz, të qëndrueshëm dhe plot ambicie.

Nga viti 2010 deri në 2013 ai kreu Ausbildung në shitje dhe menaxhim, ndërsa nuk u ndal me kaq. Për periudhën 2014–2016, krahas punës, përfundoi Akademinë e Tregtisë në Nürnberg, duke u specializuar në të gjitha degët e shitjes dhe menaxhimit të marketeve.

Karriera profesionale e Thaqit mori hov të fortë. Nga viti 2014 deri në 2017 ishte menaxher në dy prej zinxhirëve më të mëdhenj gjermanë, Rewe Gruppe dhe Edeka Süd Bayern. Në gusht të vitit 2017 ai bëri hapin vendimtar: mori licencën private dhe hapi Edeka Thaqi Verbrauchermarkt GmbH, duke u bërë një prej pak shqiptarëve që menaxhon market me licencë të plotë në këtë platformë.
Prej vitit 2022, nisma e tij u zgjerua edhe më shumë. Ai filloi importin e produkteve nga Kosova drejt Gjermanisë me shumicë, duke futur produkte vendore në raftet e Edeka-s dhe Rewe-s. Kjo ishte vetëm faza e parë.

Në vitin 2023, bashkë me partnerin e tij, Faton Seferi, themeloi platformën Drini Market, e cila sot funksionon si dyqan fizik dhe online, ekskluzivisht me produkte shqiptare. Aktualisht Drini Market është i pranishëm në Augsburg dhe Unterschleißheim – München, ndërsa plani është i qartë: të hapen mbi 10 pika vetëm në Bavari.

Modeli i biznesit sot përfshin: tregti me shumicë, markete fizike, dyqan online dhe që nga viti 2024, edhe qendrën e grumbullimit në Rahovec, Drini KS Export L.L.C, ku përgatiten të gjitha mallrat për tregun europian.
Aktualisht grupi operon me 3 kompani në Gjermani dhe 1 në Kosovë, duke krijuar një urë solide mes prodhimit kosovar dhe tregut të Bavarisë.
Historia e Fitim Thaqit është shembulli më i mirë se si përkushtimi, shkolla, puna dhe vizioni të çojnë nga një fshat i Rahovecit në një rrjet të madh tregtar në zemër të Gjermanisë. Drini Market po rritet me ritëm të shpejtë dhe duket qartë se kjo është veç fillimi.

ks


