Në Roskovec, 1200% më shumë me sëmundje respiratore
Fier, Ballsh, Mallakastër, mbi 100% sëmundjet e zemrës
Shifrat alarmante në Raportin e KLSH
Ndërkohë që naftëtarët e Patoz-Marinëz ishin në grevë urie për kushte më të mira të punës, situata shëndetësore e tyre dhe e të gjithë banorëve që jetojnë pranë fushës naftë-mbajtëse po shënon një përkeqësim me shifra alarmante për shkak të cilësisë së ajrit dhe natyrës.
Në zonën e Roskovecit raportohet janë rritur me 1200 përqind rastet e sëmundjeve respiratore nga viti 2021 e deri më tani. Sipas shifrave zyrtare, rezulton se 4 vjet më parë, numri i rasteve të raportuara me këtë sëmundje ishte vetëm 20 për 10 mijë banorë. Aktualisht, kjo shifër ka arritur në vlerën e 243 raste për 10 mijë banorë.
Situata është gjithashtu e rëndë edhe për sëmundjet malinje. Në zonën e Fierit, numri i pacientëve me sëmundje tumorale është rritur me 300 përqind, krahasuar me vitin 2025. Një dekadë më parë, në qytet ishin regjistruar 393 persona, ndërkohë që aktualisht, shifra ka tejkaluar numrin 1300, duke e renditur Spitalin e Fierit në numrin e dytë me trajtimin e rasteve të tilla, pas Tiranës.

Ndërkohë, në Roskovec, numri i pacientëve me sëmundje malinje është rritur me 90 përqind në të njëjtin hark kohor.
Edhe rastet e personave me sëmundje kardivaskulare në zonat pranë fushës naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, gjithashtu kanë shënuar rritje alarmante.
Vetëm për periudhën 2021-2024, raportohet një rritje me rreth 100 përqind të pacientëve me këto sëmundje në zonën e Roskovecit, Fierit, Ballshit e Mallakastrës.
Të dhënat shumë shqetësuese janë përmbledhur në një Raport Performance, të miratuar së fundmi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Audituesit, krahas situatës alarmante, kanë konstatuar një neglizhencë totale nga strukturat shtetërore, përfshirë Institutin e Shëndetit Publik, i cili ka rreth 10 vite që nuk ka kryer asnjë studim për situatën shëndetësore për banorët e zonës së Patoz-Marinëz.
Instituti i Shëndetit Publik ka informuar Kontrollin e Lartë të Shtetit se ka në dispozicion vetëm një raport të vitit 2015 mbi vlerësimin e situatës mjedisore dhe shëndetësore në fshatin Marinëz-Fier, ndërkohë që nuk ka kryer asnjëherë një studim për situatën e përgjithshme shëndetësore në Patos-Marinëz.

Sipas Raportit, të dhënat në rritje për sëmundjet malinje, kardiovaskulare e respiratore në bashkitë me ndotje të lartë, tregojnë për një lidhje të mundshme mes ekspozimit afatgjatë ndaj ndotjes industriale dhe përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të popullatës.


