Lajme

Hoti: Deklarata e Osmanit për “shkatërrim të 900 bandave, autogol diplomatik

Ish-kryeministri I Kosovës, Avdullah Hoti e ka cilësuar autogol diplomatik ndaj Kosovës deklaratën e presidentes Vjosa Osmani, se në Kosovë “janë shkatërruar 900 banda kriminale për pesë vjet”.

Sipas Hotit, deklarata të tilla tragjikomike e ulin kredibilitetin e Kosovës dhe e dëmtojnë imazhin, duke e vendosur në listë me vendet problematike të botës.

Ai ka shtur se Kosova ka nevojë për lidership dinjitoz, serioz dhe të përgjegjshëm.

“900 banda kriminale të shkatërruara” nuk është vetëm një statistikë e rreme, por është autogol diplomatik që i bëhet Kosovës. Kjo nuk tregon sukses, por i jep botës mesazhin e rremë se Kosova është e zhytur në krim të organizuar. Deklarata të tilla tragjikomike e ulin kredibilitetin e Kosovës dhe e dëmtojnë imazhin, duke e vendosur në listë me vendet problematike të botës. Kosova ka nevojë për lidership dinjitoz, serioz dhe të përgjegjshëm. Sigurisht se ky i fundit nuk është rasti i vetëm. Dëmi po mbetet, pavarësisht sqarimit, që po e dëshmon mungesën e seriozitetit”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ai e ka akuzuar Osmanin se po i shërben kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe nuk po merret me detyrat e saj.

“Kështu ndodh kur tentohet të përdoret çdo medium, në vend e jashtë, për t’i shërbyer partnerit të saj në krye të qeverisë. Detyrë e saj është të merret me ndërprerjen të partneritetit strategjik me SHBA, me sanksionet nga BE, me funksionimin joligjor të qeverisë, me emërimin e kryeprokurorit e raste të tjera. Këto i ka harruar. Fundi po vjen, asnjë rezultat, vetëm shërbim me devotshmëri në agjendën shtetrrënuese të partnerit të saj”, ka përfunduar ai.