Çelësi i një jete të gjatë nuk është aspak sekret: të hash dhe të flesh mirë, të bësh pak aktivitet fizik, të mos përfundosh nën rrotat e një autobusi dhe të shpresosh që sëmundjet e trashëguara të mos aktivizohen në gjenet e tua. Venkatraman Ramakrishnan, një vegjetarian që çdo ditë shkon me biçikletë në laboratorin e tij në Kembrixh, i bën të gjitha këto dhe, në moshën 72-vjeçare, thotë se e sheh vdekjen “me filozofi”.
Por ashtu si miliona njerëz në botë, edhe ai merr ilaçe kundër tensionit, kolesterolit dhe mpiksjes së gjakut.
Nëse në fund të jetës do t’i ofrohej një pilulë që nuk parandalon sëmundjen, por procesin e plakjes, dhe i jepte edhe dhjetë vite të tjera jetë, a do ta merrte?
“Do të tundoheshim të gjithë”, përgjigjet ai. “Dëshira për të jetuar më gjatë është thellësisht e rrënjosur tek të gjithë ne”.
A mund të ekzistojë një ilaç i tillë? “Nuk besoj se ka ndonjë ligj shkencor që të vendos një kufi natyror rreth moshës 120-vjeçare, siç thuhet shpesh. Por të arrish një gjë të tillë është jashtëzakonisht e vështirë”.
Pyetjet që lindin përballë vdekjes
Pak njerëz dinë më shumë për jetën, dhe mekanizmat qelizorë që e drejtojnë, sesa Ramakrishnan. Biologu molekular fitoi Nobelin në vitin 2009 për studimin e strukturës së ribozomeve, organelat që lexojnë ADN-në dhe prodhojnë proteinat. Pas dhjetëra çmimeve dhe nderimeve, ai po e drejton tani vëmendjen tek fundi i jetës.
Faraonët ndërtuan piramidat për të përgatitur udhëtimin në botën tjetër; perandorët kinezë u varrosën me ushtri prej argjile për të mbrojtur trupin deri në ringjallje.
Rimishërimi hindu, parajsa dhe ferri kristian, kopshti i paqes së përjetshme në Islam, të gjitha lindën sepse, siç thotë Ramakrishnan, “ideja e vdekjes është aq e tmerrshme, sa jetojmë pjesën më të madhe të jetës duke e mohuar”.
Titulli i librit të tij të ri, Why We Die, mjafton për t’i shkaktuar ankth një lexuesi. Me rënien e ndikimit të fesë, në raportin tonë me vdekjen është krijuar një boshllëk. Në vend të priftërinjve, gjithnjë e më shpesh kthehemi drejt një grupi njerëzish, zakonisht burra të moshuar, të bardhë, perëndimorë dhe ultra të pasur, që Ramakrishnan i quan “tregtarët e pavdekësisë”.
Miliarderët që kërkojnë jetë të pafund
Ramakrishnan u rrit në Vadodara, Indi, në një familje shkencëtarësh hindu dhe me një edukim kryesisht laik. Punon prej 25 vitesh në Laboratorin e Biologjisë Molekulare të Këshillit të Kërkimeve Mjekësore në Kembrixh.
Vetëm disa milje larg është një prej qendrave të Altos Labs, startup-i bioteknologjik më i financuar ndonjëherë (3 miliardë dollarë), mbështetur nga Jeff Bezos dhe miliarderi Yuri Milner. Qëllimi? Të ndalojë plotësisht procesin e plakjes. Dhe nuk është e vetmja: më shumë se 700 kompani të tjera kanë ambicie të ngjashme. Iniciativa Chan–Zuckerberg, e Mark Zuckerbergut dhe bashkëshortes së tij, premton madje “të kurojë, parandalojë ose menaxhojë çdo sëmundje brenda këtij shekulli”.
A është kjo një kështjellë në ajër, apo thjesht mashtrim? “Këta miliarderë të teknologjisë shpesh kanë pasur sukses që në moshë të re”, thotë Ramakrishnan. “Ata e shohin jetën si një kod kompjuterik që mund të ‘hacker-ohet’. Por plakja është shumë më komplekse”.
Megjithatë, jo çdo ide është e pavlefshme. “Në 50 vitet e fundit biologjia molekulare ka bërë hapa gjigante në kuptimin e procesit të plakjes”.
A mund të mbetemi të rinj?
Çfarë dimë realisht për plakjen qelizore? Nëse lëmë mënjanë sëmundjet dhe aksidentet, plakja çon në vdekje. “Mund ta përfytyrosh si një grumbullim dëmtimesh në qeliza dhe në aftësinë e tyre për t’u rigjeneruar”, thotë ai.
Qelizat rinore rigjenerohen natyrshëm. Qelizat seneshente pushojnë së ndari dhe mbledhin dëmtime. Në fillim nuk është problem, mund të humbasësh edhe një gjymtyrë dhe të mbijetosh. Por në fund, sistemi dështon.
Ramakrishnan citon Heminguejin: “Dështova në dy mënyra. Fillimisht gradualisht, pastaj papritur”. Po kështu edhe trupi: plaket ngadalë, vdes papritur. Shkenca po përpiqet të kuptojë cila pjesë e këtij procesi është plakje dhe cila është sëmundje, dhe pikërisht aty mund të ndodhë përparimi i madh.
Të çmendurit, misionarët dhe realistët
Ramakrishnan i ndan të pasurit që ndjekin pavdekësinë në tre grupe:
- Të çmendurit
Ata që besojnë tek ngrirja e trupit (kriogjenia) me shpresën se një ditë teknologjia do t’i ringjallë. “Nuk ka asnjë provë se kjo do të funksionojë ndonjëherë”. Një variant tjetër është “ngarkimi” i trurit në një arkiv dixhital për t’u “shkarkuar” më vonë në një formë tjetër jete. Sam Altman (OpenAI) është në listë pritjeje për këtë procedurë.
- Misionarët
Njohin pak biologji dhe mendojnë se mund ta zgjasin jetën. Shembulli i famshëm është Bryan Johnson, i cili u bë titull lajmesh kur i mori të birit transfuzion plazme, frymëzuar nga eksperimente të parabiozës tek kafshët. Rezultatet? Pothuajse asnjë ndryshim. Tani po ndjek rrugën e telomerëve, e cila mund të ndihmojë, por mund të rrisë edhe rrezikun e tumoreve.
- Realistët
Këtu e vendos veten Ramakrishnan. Ata nuk kërkojnë pavdekësi, por zgjatjen e viteve të shëndetshme duke luftuar sëmundjet. “Shumica e sëmundjeve rriten me moshën. Nëse plakja është faktori kryesor, duhet të trajtojmë plakjen për të jetuar më gjatë dhe më mirë”.
Jetë më e gjatë, por jo pafundësisht
Ramakrishnan nuk është i interesuar për pavdekësinë. Synimi i tij është më tokësor: më shumë vite të shëndetshme për më shumë njerëz.
A do të donte vetë t’i zgjaste vitet e karrierës së tij përmes shkencës së plakjes? “Jetojmë mjaftueshëm”, thotë. Rreziku i një jetegjatësie të tepruar, sipas tij, është një shoqëri e ngrirë, ku të moshuarit mbajnë pushtetin dhe pasuritë deri në pafundësi. “Vitin tjetër dal në pension. Jam ende mirë. Por një 35-vjeçar mund të krijojë një fushë krejt të re. Ka një ndjenjë të drejtësisë ndërbreznore. Jetojmë dyfish më gjatë se paraardhësit tanë”. / bota.al
BotaM


