LifeStyle

‘Rënie dramatike’, Stefan Effenberg parashikon të ardhme të zymtë për partnerin e Loredanës

Situata e Karim Adeyemi-t vazhdon të trazojë ambientin te Borussia Dortmund dhe kombëtarja gjermane, ndërsa tashmë edhe Stefan Effenberg ka dalë me një paralajmërim tepër të ashpër. Ish-kapiteni i Bayern-it e sheh karrierën e 23-vjeçarit në rrezik serioz dhe flet madje për një “rënie dramatike”.

Adeyemi është gjobitur me 450 mijë euro për posedim të paligjshëm armësh, një skandal që ka shkaktuar reagime të forta. Ende nuk është e qartë nëse BVB apo DFB do të vendosin sanksione të tjera. Borussia Dortmund pritet të zhvillojë një takim me drejtuesit e klubit për të vendosur masat e mundshme disiplinore. Ndërkohë, drejtori sportiv i kombëtares gjermane, Rudi Völler, deklaroi në ZDF se çështja do të trajtohet “kritikisht”, por theksoi se Adeyemi “nuk do të dënohet” pa një analizë të drejtë.

Në kolonën e tij për ‘t-online’, Effenberg thekson:

“Për Adeyemin, situata mund të bëhet shumë, shumë e vështirë te kombëtarja gjermane.”

Ai kujtoi pezullimin e tij të gjatë pas incidentit të vitit 1994 dhe paralajmëroi:

“Adeyemi është në prag të një rënieje dramatike.”

Image

Nga nisja e shkëlqyer te stagnimi

Sulmuesi i shpejtë kishte nisur sezonin në formë të shkëlqyer, me gjashtë kontribuime në gola në shtatë ndeshjet e para, duke u vlerësuar si një nga pikat më të forta të Dortmundit. Por javët e fundit ai është ndrydhur, si në performancë ashtu edhe në sjellje.

Effenberg kërkon ndërhyrje të menjëhershme:

BVB dhe DFB, sipas tij, kanë detyrimin të analizojnë me kujdes ambientin që e rrethon lojtarin, në mënyrë që ta rikthejnë në rrugën e duhur.

23-vjeçari ka “potencial të jashtëzakonshëm”, por, siç thotë Effenberg, rrezikon ta “hedhë poshtë karrierën e tij” nëse nuk reflekton dhe nuk korrigjon sjelljen.

Skandali aktual mund të jetë pikë kthese për Adeyemi-n ose fillimi i një zbritjeje të rrezikshme.