LifeStyle

Zbulohen lehtësisht numrat e telefonit të 3.5 miliardë njerëzve nga WhatsApp

WhatsApp, një nga platformat më të mëdha të komunikimit në botë, është përballur me një zbulim shqetësues të sigurisë që ka ekspozuar të dhënat bazë të miliarda përdoruesve.

Rritja e aplikacionit lidhet me thjeshtësinë e përdorimit – mjafton numri i telefonit për të gjetur dikë. Por pikërisht kjo e ka bërë sistemin të cenueshëm.

Moneytizer Paragrafi 2

Sipas studiuesve austriakë, numrat e telefonit të 3.5 miliardë përdoruesve të WhatsApp kanë qenë deri vonë lehtësisht të arritshëm për këdo, përfshirë grupe hakerësh, transmeton Telegrafi. Për më tepër, ata kanë zbuluar se për rreth 57% të përdoruesve ishte e mundur të merreshin edhe fotot e profilit, ndërsa për 29% – tekstet e profileve.

Metoda që përdorën studiuesit nuk kishte asgjë të sofistikuar: thjesht shtuan numra telefoni, njësoj siç e bën një përdorues i zakonshëm. WhatsApp më pas konfirmon nëse numri ekziston në platformë dhe shfaq foton dhe informacionin e profilit. Ky proces u përsërit në shkallë masive përmes WhatsApp Web, duke u mundësuar atyre të kontrollonin rreth 100 milionë numra në orë.

Moneytizer Paragrafi 4

Edhe pse Meta ishte paralajmëruar për këtë problem që në vitin 2017, kompania nuk kishte ndërmarrë masa konkrete deri këtë vit. Vetëm pas njoftimit të studiuesve austriakë në prill, WhatsApp vendosi kufizime të shpejtësisë në tetor, për të ndaluar mbledhjen masive të kontakteve.

Meta ka theksuar se të gjitha këto të dhëna konsiderohen “informacion bazë i disponueshëm publikisht” dhe se përdoruesit që kanë vendosur profilin privat nuk ishin të ekspozuar. Po ashtu, kompania thotë se nuk ka gjetur dëshmi që aktorë keqdashës e kanë abuzuar më parë këtë dobësi, dhe se studiuesit nuk kanë pasur qasje në të dhëna jo-publike.

Megjithatë, fakti që ky problem ka qëndruar aktiv për vite të tëra ka ngritur shqetësime të mëdha për privatësinë dhe sigurinë e përdoruesve në mbarë botën.



ks