Sot do mbahet seanca gjyqësore ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët akuzohen për spiunazh.
Seanca e fundit ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të akuzuar për spiunazh, ishte shtyrë për sot, me arsyetimin se njëri nga të akuzuarit kishte probleme shëndetësore.
Ndryshe Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të dyshuar për spiunazh.
Të dyshuarit ishin arrestuar në qershor të vitit të kaluar, ndërsa prokuroria ka theksuar se ekziston dyshimi i bazuar se secili prej tyre ka kryer veprën penale të spiunazhit, sipas nenit 124 të KPRK-së.
Përveç kësaj, Muharrem Qerimi po akuzohet edhe për “Mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.”
Prokurori ka kërkuar nga gjykata që të dyshuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen, duke kërkuar gjithashtu vazhdimin e masës së paraburgimit deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Sipas informacioneve të lëshuara nga Prokuroria Speciale, Shabani dhe Qerimi mblodhën informata që do t’i shërbenin Ministrisë së brendshme serbe, për ta ndërtuar një narrativ të rremë për një rrjet të trafikimit të organeve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë luftës.
Qerimi në bazë të aktakuzës i ka dërguar zyrtarit të Ministrisë së Brendshme, Sërgjan Rosiq edhe të dhëna të klasifikuara që lidheshin me veprimtarinë e Prokurorisë Speciale.
Ndërkohë i akuzuari Bedri Shabani, në bazë të pretendimeve të prokurorisë, përveç Rosiqit, pati kontakt edhe me një zyrtar tjetër, Bogolub Janiçeviq, që kishte rol udhëheqës në masakrën e Reçakut.


