Ditëlindje, momente passionate, hyrje e re, e një mundësi e artë për shkëmbim, këto e karakterizuan një Prime të tretë në Big Brother VIP Kosova 4.
Spektakli nisi me atmosferë festive për ditëlindjen e moderatorit Alaudin Hamiti, të cilit banorët i dhuruan një moment të paharrueshëm me fishekzjarre brenda shtëpisë dhe këngën tradicionale të ditëlindjes, duke mos munguar as urimet e veçanta nga fëmijët e tij.
Por surprizat nuk u ndalën aty!
Për herë të parë në një format shqiptar të Big Brother, u konfirmua zyrtarisht se do të realizohet shkëmbim banorësh me Grande Fratello Italy.
Banorja e zgjedhur për të udhëtuar drejt Italisë është Dolce, e cila do të qëndrojë një javë në shtëpinë italiane, lajm që Alaudini e bëri publik për herë të parë, ndërsa vetë Dolce do informohet prime-in e radhës.
Në anën tjetër, mbrëmja solli edhe tensione.
Linda Rei, në dhomën e rrëfimeve, shprehu dëshirën për t’u larguar nga shtëpia për shkak të gjendjes shëndetësore.
Edhe pse produksioni njoftoi se pajisja mjekësore që ajo kërkonte është rrugës nga Zvicra, Linda ishte e vendosur të mos vazhdonte brenda.
Spektakli u pasurua edhe me një hyrje të re.
Pas javësh presioni publik dhe madje edhe protestash, Labinot Rexha u bë pjesë e shtëpisë falë votës së publikut, duke realizuar dëshirën e tij të kahmotshme për t’u bërë banor i BBVK4.
Gjatë kësaj nate të gjatë, por të rrëmbyeshme pati edhe momente surprizash për banorët, por edhe histori dhimbjesh, siç ishte rrëfimi i Elijonës për humbjen e më të dashurve të saj.
E para se ky prime të mbaronte , Vëllai i Madh hapi televotimin e ri, ku në garë për mbijetesë u futën.
Getoari, Klodi, Bia, Nailiri, Edi, Sasa, Toney dhe Linda. Këtyre iu shtuan edhe Londrimi, Alba dhe Benita, të cilët ishin tashmë në nominim direkt si masë ndëshkuese për thyerje rregullash.
Mbrëmja e tretë e Prime-it përfundoi si një paketë e plotë, emocione, tension, hyrje të reja, momente të ëmbla e vendime të rëndësishme, duke e konfirmuar edhe një herë pse BBVK 4 po e rrit suksesin nga nata në natë.


