Lumir Abdixhiku është zyrtarisht kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e kryeministrit në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor.
Këtë njoftim e bëri vetë kryetari i LDK-së në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë, ku u theksua se partia po hyn në këtë proces zgjedhor me ambicie të qarta dhe me një platformë të hapur bashkëpunimi.
Abdixhiku nënvizoi se lista e LDK-së do të jetë gjithëpërfshirëse dhe se partia është e gatshme të integrojë si individë të pavarur, ashtu edhe subjekte të tjera politike që ndajnë vlera e orientime të përbashkëta.
Madje, ai la të hapur mundësinë që nën listën e kandidatëve për deputetë të përfshihet edhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, duke sinjalizuar kështu një qasje më të gjerë koalicioni dhe bashkëpunimi për zgjedhjet e ardhshme.
Rugova: Kemi shembuj të zgjedhjeve të viteve të fundit ku LDK bëri koalicione të kësaj natyre dhe nuk dolëm mirë si parti

Naser Rugova
Ish-deputeti i LDK-së, Naser Rugova, vlerëson se LDK-ja, si parti me traditë dhe shtrirje të gjerë në Kosovë e mërgatë, ka potencial të dalë forcë e parë nëse riorganizohet dhe përfshin në listë figura akademike, kulturore dhe emra kredibilë nga vetë trungu i saj.
Ai kujton se koalicionet e viteve të fundit nuk i sollën rezultate të mira partisë dhe shprehet se gabimet e së kaluarës nuk duhet të përsëriten në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Vlerësoj se LDK si parti me traditë, organizim, strukturë dhe shtrirje solide në tërë Kosovën dhe në mërgatë, po të riorganizohet, po të përfshihen në një listë të gjithë emrat e qarkut akademik, kulturor, emra të tjerë kredibilë që janë brum i LDK-së, ka potenciale të bollshme që të del partia e parë pa koalicione dhe aktorë të tjerë jashtë profilit politik dhe ideologjik të LDK-së.
Kemi shembuj të zgjedhjeve të viteve të fundit ku LDK bëri koalicione të kësaj natyre dhe nuk dolëm mirë si parti, madje edhe u dëmtuam në numër të deputetëve si parti. Uroj që gabimet e së kaluarës mos të na përsëriten më 28 dhjetor”, deklaron Rugova për gazetën.
Nimani: Një gjë është e qartë: aty ku është Nisma, përcaktohet boshti i qeverisjes – dhe aty do të jetë edhe Kryeministri i ardhshëm i vendit
Artan Nimani nga Nisma socialdemokrate, e ka përshëndetur ftesën e LDK-së për bashkëpunim në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke theksuar se vendi hyri në zgjedhje për shkak të dështimit të partisë së parë për të siguruar stabilitet institucional.

Artan Nimani
Ai tha se Nisma mbetet e hapur për bashkëpunime, por çdo vendim do të varet nga serioziteti i partnerëve dhe projekti konkret i qeverisjes.
Sipas Nimanit, Nisma është faktor përcaktues në krijimin e shumicës dhe aty ku është ajo, përcaktohet edhe boshti i qeverisjes. Qëndrimi zyrtar për koalicionet do të bëhet publik së shpejti.
“E përshëndesim ftesën e LDK-së për bashkëpunim në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Vendi është futur në zgjedhje si rezultat i dështimit të partisë së parë për të garantuar stabilitet dhe funksionalitet institucional, ndërsa blloku i ish-opozitës nuk ka provokuar asnjëherë zgjedhje, por ka vepruar brenda rregullave dhe përgjegjësisë politike.
Nisma Socialdemokrate mbetet e hapur për bashkëpunime, por çdo vendim merret mbi bazën e projektit konkret të qeverisjes dhe seriozitetit të partnerëve. Aktualisht po analizojmë me kujdes ftesat dhe ofertat politike të blloqeve që synojnë ndërtimin e një shumice stabile.
Një gjë është e qartë: aty ku është Nisma, përcaktohet boshti i qeverisjes – dhe aty do të jetë edhe Kryeministri i ardhshëm i vendit. Qëndrimin tonë zyrtar për koalicionet do ta bëjmë publik shumë shpejt”, deklaron ai për “Bota sot”.


