Në një botë që ndryshon vazhdimisht, ka pak gjëra që i rezistojnë kohës. Pemët, një nga krijesat më jetëgjata në Tokë, ofrojnë strehim, hije dhe ajër për breza, duke u shndërruar në pika referimi të njohura për miliona njerëz.
Nga lisat e bukur te tisët e lashtë, disa datojnë mijëra vjet më parë, në një kohë kur qytetërimi dukej shumë ndryshe.
Por a keni menduar ndonjëherë se cila është pema më e vjetër në botë dhe ku ndodhet ajo?
Cila është pema më e vjetër në botë?
Metuselahu është pema më e vjetër individuale me emër në botë. Ndodhet në Malet e Bardha të Kalifornisë, e rrethuar nga tokë e thatë dhe shkëmbinj. Pema ka ngjyrë të zbehtë dhe formë të përdredhur, pa gjethe, shkruan BBC .
Metuselahu është një pishë e llojit Great Basin bristlecone. Pema u emërua sipas patriarkut biblik Metuselahu, gjyshit të Noeut, i njohur për jetëgjatësinë e tij të jashtëzakonshme dhe jetëgjatësinë më të gjatë në Bibël, prej 969 vjetësh.
Pema e Metuselahut u zbulua në vitet pesëdhjetë të shekullit të 20-të nga Dr. Edmund Shulman. Ajo mban rekordin si pema më e vjetër në botë me një moshë të konfirmuar. Ajo u rrit si një organizëm i vetëm dhe nuk është pjesë e një kolonie klonale – një grup pemësh gjenetikisht identike të lidhura nga një sistem rrënjor i përbashkët.
Metuselahu ka treguar një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, por në të njëjtën zonë ekziston një pemë tjetër, pa emër, e cila mendohet të jetë edhe më e vjetër.
Pse është i mbrojtur vendndodhja e tij?
Një pyll i lashtë me pisha ndodhet në Malet e Bardha të Kalifornisë. Megjithatë, vendndodhja e saktë e pemës më të vjetër të emëruar, si dhe pema e konfirmuar më e vjetër pa emër në zonë, mbahet sekret dhe asnjë foto e këtyre pemëve nuk është ndarë konkretisht për dekada të tëra.
Kjo u bë për ta mbajtur të mbrojtur nga dëmtimet ose vandalizmi – por në vitin 2021, vendndodhja e Methuselahut u bë më e njohur në internet kur u publikuan foto, duke u lejuar njerëzve të përcaktonin me saktësi vendndodhjen e tij.
Si ia del të jetojë kaq gjatë?
Pisha bristlecone e Pellgut të Madh konsiderohet si specia më e vjetër e pemës që jeton në botë. Këto pemë rriten në malet më të larta të Kalifornisë, Nevadës dhe Utahut në SHBA.
Por si ia dalin të jetojnë kaq gjatë? Me një jetëgjatësi mbresëlënëse që përfshin breza të tërë, jetëgjatësia e tyre është rezultat i kushteve të vështira në të cilat rriten. Në këto kushte, pemët rriten shumë ngadalë, gjë që i bën ato të dendura dhe si rezultat, kjo i mbron ato nga kalbja, insektet dhe kërpudhat.


