Shumë pacientë të hospitalizuar tashmë janë të rrezikuar nga pikëpamja shëndetësore, ndërsa ekspozimi shtesë ndaj mikrobeve, baktereve, viruseve, mund ta vështirësojë shërimin dhe të çojë në komplikime serioze.
Prandaj është e rëndësishme të njihen masat e trajtimit, si dhe të parandalohet sa më shumë të jetë e mundur shfaqja e infeksioneve spitalore (nosokomiale).
Te pacientët që zhvillojnë infeksione spitalore, duhet të ofrohet trajtim simptomatik për shokun, depresionin respirator dhe komplikimet e tjera, së bashku me përdorimin e menjëhershëm të terapisë antimikrobike empirike me spektër të gjerë derisa të dalin rezultatet e kulturave.
Nëse infeksioni i qarkullimit të gjakut zhvillohet për shkak të një kateteri intravenoz, heqja e tij merret në konsideratë kur nuk është më i nevojshëm, si dhe në rastet kur infeksioni shkaktohet nga Staphylococcus aureus, Candida ose mikobakteriet.
Heqja rekomandohet gjithashtu kur pacienti është kritikisht i sëmurë, bakteremia zgjat mbi 48-72 orë, ose kur ka endokardit, infeksione metastatike ose tromboflebit septik.
Fillimisht jepen antibiotikë empirikë që mbulojnë bakteret gram-pozitive dhe gram-negative, përfshirë Pseudomonas.
Më vonë terapia përshtatet sipas antibiogramit.
Në rastet e rënda shtohen antifungalë ose antivirale. Trajtimi zgjat zakonisht 10–14 ditë pas negativizimit të hemokulturave.
Terapia fillestare duhet të jetë me spektër të gjerë dhe pastaj të ngushtohet në bazë të rezultateve laboratorike.
Në pneumoninë e lidhur me ventilator, kohëzgjatja e rekomanduar e terapisë është 7 ditë dhe më gjatë në rast të përmirësimit të ngadaltë klinik.
Në rast gripi përdoret trajtim antiviral, sidomos te pacientët me imunitet të dobësuar.
Përdorimi i panevojshëm i kateterëve urinarë duhet shmangur maksimalisht.
Heqja e kateterit shpesh çon në zhdukjen spontane të infeksioneve të lehta.
Trajtimi zakonisht zgjat 7-14 ditë, ndërsa më gjatë në rast sepsisi ose anomalish të lindura të traktit urinar.
Kombinohet pastrimi kirurgjikal i plagës dhe përdorimi i antibiotikëve përkatës. Infeksionet e rënda, si gangrena streptokoksike dhe nekroza e përhapur e indeve, kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe agresive kirurgjikale.
Te gastroenteriti rotaviral, trajtimi është simptomatik dhe fokusohet në parandalimin e dehidrimit.
Tek infeksionet nga Clostridium difficile, personat asimptomatikë nuk trajtohen.
Te fëmijët me simptoma zakonisht përdoret metronidazoli oral; vankomicina dhe fidaksomicina janë alternativa të tjera.
Vizitorët luajnë një rol të madh në parandalimin e përhapjes së infeksioneve, pasi pacientët shpesh kanë imunitet të dobësuar dhe edhe viruset e zakonshme mund të jenë të rrezikshme.
Masat më efektive janë larja e shpeshtë dhe e rregullt e duarve, qëndrimi në shtëpi nëse jeni të sëmurë, mbajtja e maskës, vaksinimi i rregullt (gripi dhe vaksinat e tjera sipas rekomandimit të mjekut), larja dhe dezinfektimi i duarve.
Duart duhet të lahen para dhe pas hyrjes në dhomën e pacientit, pas përdorimit të tualetit, pas kontaktit me pacientin dhe para/pas përdorimit të dorezave.
Gjatë vizitës, mbani duart larg fytyrës. Kollituni ose teshtini në shami letre ose në bërryl, kurrë në ajër.


