Shëndetësi

Një skanim i thjeshtë i qafës mund të zbulojë meshkujt me rrezik të lartë për probleme me zemrën

Disa studiues britanikë thanë se besojnë që mjekët e familjes mund të marrin në konsideratë skanimin e arterieve karotide tek pacientët mbi 60 vjeç.

Këto arterie të mëdha furnizojnë me gjak trurin, fytyrën dhe qafën, dhe zakonisht janë elastike. Por shkencëtarët thonë se ato mund të ngurtësohen me kalimin e viteve ose si pasojë e disa sëmundjeve, gjë që mund të çojë në tension të lartë, dështim të zemrës dhe rritje të rrezikut për atak kardiak dhe goditje në tru.

Skanimi është i ngjashëm me ekon që bëhet gjatë shtatzënisë dhe përdor një pajisje të vogël dore që lëviz lehtë mbi qafë.

Rezultatet tregojnë fleksibilitetin e arterieve karotide, të cilat kalojnë në të dyja anët e qafës, dhe sa shumë ato shtrihen e zgjerohen me çdo rrahje të zemrës.

Studimi, i botuar në Journal of the American Heart Association, u drejtua nga University College London (UCL) dhe përfshiu 1631 burra të moshës 71 deri në 92 vjeç.

Ai zbuloi se një e katërta e atyre me arteriet më pak fleksibël kishin 2.5 herë më shumë gjasa të zhvillonin dështim të zemrës, krahasuar me ata me arteriet më elastike.

Dr. Atinuke Akinmolayan, që udhëhoqi kërkimin në UCL dhe që tani është mjeke familjeje, tha: “Ultratingulli i karotideve është një ekzaminim i sigurt, i lirë dhe pa dhimbje dhe gjetjet tona sugjerojnë se ai mund të japë një shenjë të hershme paralajmëruese për dështimin e zemrës. Nevojiten më shumë kërkime, sidomos për të parë nëse funksionon edhe tek gratë, por kjo është diçka që mjekët e familjes mund ta marrin në konsideratë për njerëzit mbi 60 vjeç.”

Kërkimi u financua pjesërisht nga Instituti Kombëtar për Kërkime Shëndetësore dhe Kujdesi, si dhe nga Fondacioni Britanik i Zemrës (BHF), i cili vlerëson se rreth 920,000 persona në Mbretërinë e Bashkuar jetojnë me dështim të zemrës.

Profesori Bryan Williams, drejtor shkencor dhe mjekësor në BHF, tha: “Gjetjet e këtij studimi janë interesante dhe tregojnë se ngurtësimi i arterieve lidhet me rritjen e rrezikut për dështim të zemrës, ndoshta sepse zemra është e detyruar të punojë më fort për shkak të rezistencës së shkaktuar nga këto arterie më të ngurta.”

Studimi sugjeron se për çdo rritje prej 0.16 milimetrash në trashësinë e enëve të gjakut tek burrat, rreziku për atak kardiak rritet me rreth 29%.

Zakonisht, njerëzit e bëjnë këtë lloj skanimi vetëm nëse kanë pësuar goditje në tru ose janë në rrezik për të.

Studiuesit thanë se skanimi mund të identifikojë grumbullimin e yndyrave që mund të shkaktojë goditje në tru, ose duke u shkëputur dhe shkuar në tru, ose duke ngushtuar arteriet dhe duke penguar kalimin e gjakut.

Ekspertët shtuan se kur arteriet karotide humbin fleksibilitetin, ato nuk zgjerohen siç duhet për të lejuar kalimin e gjakut, gjë që mund të rrisë tensionin dhe të çojë në dështim të zemrës. / Sky News – Syri.net