Vetëm gjashtë ekzemplarë të roadster-it legjendar Mercedes-Benz CLK GTR ekzistojnë në të gjithë botën, dhe një prej tyre ndodhet aktualisht në duart e FBI-së.
Ky model ultra i rrallë, një ndër makinat më ekstreme të krijuara ndonjëherë nga AMG për homologimin në garat e Le Mans në fund të viteve ’90, u bë pjesë e një operacioni mbresëlënës federal, pasi i përkiste ish-kampionit olimpik dhe njëkohësisht të kërkuarit të drejtësisë, Ryan Wedding.
Agjencia federale sekuestroi një Mercedes-Benz CLK GTR Roadster të vitit 2002, me vlerë rreth 13 milionë dollarë, si pjesë e Operacionit ‘Giant Slalom’, që synon çmontimin e kartelit ndërkombëtar të drejtuar, sipas akuzave, nga ish-snowboarderi olimpik Ryan Wedding, i cili tani është i listuar në Top 10 të të arratisurve më të kërkuar nga FBI.
CLK GTR është produkt i një epoke të artë për garat e qëndrueshmërisë: për të marrë pjesë në Le Mans, prodhuesit ishin të detyruar të prodhonin edhe versione të homologuara për rrugë. Kjo filozofi solli në jetë ‘përbindësha’ të famshëm si Porsche 911 GT1, Nissan R390 dhe natyrisht, versionin ekstrem të Mercedes-Benz.
Nga 28 njësi të prodhuara gjithsej, vetëm 6 ishin roadster, çka e bën variantin pa tavan edhe më të çmuar. Nën karrocerinë prej fibrash të karbonit fshihet një motor V12 6.0 litra që prodhon rreth 600 kuaj fuqi dhe ngjitet deri në 7,000 rpm, performancë që e vendos këtë makinë në radhën e ikonave të automobilizmit.
Pronari i saj, Ryan Wedding, akuzohet për drejtimin e një rrjeti shumëkombësh trafiku kokaine, me të ardhura të paligjshme që, sipas autoriteteve, tejkalonin 1 miliard dollarë në vit. Ai është krahasuar nga hetuesit amerikanë me figura famëkeqe si Escobar dhe El Chapo, dhe dyshohet se fshihet në Meksikë. Për kapjen e tij, FBI ka ofruar një shpërblim rekord prej 15 milionë dollarësh, një shumë pothuajse e mjaftueshme për të blerë vetë një CLK GTR, nëse makina del në ankand.
Çfarë pritet të ndodhë me makinën?
Ende nuk ka një vendim zyrtar. Me shumë gjasë, ajo do të shitet në ankand, si shumica e aseteve luksoze të sekuestruara. Por duke qenë një prej gjashtë ekzemplarëve në botë dhe tashmë e lidhur me një histori kriminale me profil të lartë, vlera e saj mund të rritet ndjeshëm.


