Të dielën, këngëtarit Shpat Kasapi iu dha lamtumira e fundit në vendin e tij të lindjes.
Për ceremoninë e varrimit, sot në “Ora Shtatë” ka folur gazetari dhe miku i Shpatit, Vlorijan Halili.
Ai tha se ka pasur shumë dhimbje gjatë përcjelljes së artistit në banesën e fundit, për faktin se ai ishte shumë i ri, vetëm 40 vjeç, dhe për mënyrën si la pas vetes gruan e djalin e tij.
“Ka qenë e vështirë dhe vazhdon të jetë e vështirë, sepse ka qenë e papritur vdekja e Shpatit. Dje prej orës 09:00 veçse janë nis shokë e kolegë prej Prishtinës, duke marrë parasysh se ka pasur shumë kolonë në kufi, për të marrë pjesë në homazhe nga ora 11:00 në Shtëpinë e Kulturës në Tetovë”.
“E rëndësishme me cek është se krejt ai organizim, krejt çka është bë ka shkuar perfekt. Gjithçka ka shkuar në rregull, ka pasur jashtëzakonisht shumë fytyra publike. Po du me cek edhe një gjë, mos i gjykoni fytyrat tjera publike që nuk kanë qenë prezent, e që kanë qenë të afërt me Shpatin, pasi kanë pasur data të rezervuara që nuk kanë mundur t’i anulojnë”, u shpreh Halili.
“Ka pasur dhimbje, me të vërtetë ka qenë shumë e vështirë. Ka qenë e vështirë për faktin që ai ka qenë shumë i ri, dhe fakti se si e ka lënë familjen dhe djalin e tij. Dhe për fund, që askush nuk e ka pritur”.
Shpat Kasapi vdiq pas një sulmi në zemër, teksa po qëndronte në Itali për kurim të djalit të tij trevjeçar.
Me rastin e vdekjes së tij, Tetova sot ka shpallur ditë zie, në nder të veprimtarisë dhe humbjen së një artistit të madh shqiptar.


