Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit Pal Berish, me dënim prej katër vjet e gjashtë muaj, për tentim vrasje të Gj.B. në rrugën “Diaspora” në Brekoc të Gjakovës.
Në njoftimin e lëshuar nga Gjykata, i dyshuari akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë dhe mbajtje në pronësi, kontrolle ose posedim të pa autorizuar të armëve.
Gjykata theksoi se i akuzuar e kishte gjuajtur me armë viktimën për shkak të një mosmarrëveshjeje pronësore të vazhdueshme.
“Trupi gjykues, i kryesuar nga kryetari Drilon Haraçia, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, shpalli aktgjykimin me të cilin i pandehuri u shpall fajtor dhe ndaj tij u shqiptua dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vjet e gjashtë (6) muaj”, thuhet në njoftim.
Si pasojë e plagëve që kishte marrë viktima, ishte detyruar që t’i nënshtrohet menjëherë një operimi.
“I pandehuri akuzohet se më datë 20 dhjetor 2024, rreth orës 09:30, në rrugën “Diaspora” në Brekoc – Gjakovë, i pandehuri, pas një mosmarrëveshjeje pronësore të vazhdueshme, ka tentuar me dashje ta privojë nga jeta të dëmtuarin Gj.B. Gjatë një bisede pranë rrethojës së oborrit, pas një fjalosjeje, i pandehuri ka nxjerrë pistoletën dhe ndërsa i dëmtuari po largohej me vrap, ka shtënë nga një distancë rreth 3 metrash, duke e goditur në pjesën e poshtme të shpinës. Si pasojë, i dëmtuari ka pësuar lëndime të rënda dhe të rrezikshme për jetën, për të cilat ka qenë i nevojshëm operimi”, theksohet në njoftim.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.


