Lajme

LDK në Vushtrri me peticion për rikthimin e Xhafer Tahirit kryetar

Dega e LDK-së në Vushtrri ka bërë peticion nëpërmjet të cilit kërkon kthimin e Xhafer Tahirit në krye të degës.

“Ky peticion është nënshkruar nga 203 anëtarë të strukturës së Degës së LDK-së, ku përfshihen: themeluesit e Degës, asambleistët e zgjedhur, anëtarët e Kryesisë, kryetarët e Nëndegëve, komisionerë, vëzhgues dhe aktivistë të Degës”, thuhet në njoftimin e degës.

Bëhet e ditur se ky peticion është dorëzuar nga Sekretari i Degës, Nënkryetarët dhe Sekretari Organizativ drejt selisë qendrore të LDK-së.

Xhafer Tahiri kishte dhënë dorëheqje pak ditë më parë nga posti i kryetarit të degës. Ai kishte lidhur koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje para zgjedhjeve të balotazhit pa aprovim të zyrës qendrore të LDK-së. Kjo kishte shkaktuar polemika të shumta brenda partisë.

Ndërkohë LDK kishte autorizuar Adnan Lahun dhe Fisnik Bashollin të bashkëmenaxhojnë Degën në Vushtrri.