Forcat e Armatosura u krijuan më 4 dhjetor 1912, pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Krijimi i Forcave të Armatosurave erdhi si një nevojë e natyrshme e një shteti sovran, të pavarur dhe që kërkonte të mbronte kufirin e saj nga tundimet e huaja (të shpeshta për shekullin e shkuar).
Sot Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë kanë një mision edhe më të madh, me tipar global. Të qenit pjesë e NATO-s i ka dhënë Forcave të Armatosura mundësinë për të shtrirë misionin e tyre në disa vende të botës.
Në kuadër të angazhimeve politike të Shqipërisë, në luftë kundër terrorizmit, Forcat e Armatosura janë angazhuar dhe marrin pjesë aktive në operacione ndërkombëtare, në misione të ndryshme jashtë vendit, si pjesë e pandarë e operacioneve të drejtuara nga NATO, BE, OKB dhe koalicionet e përbashkëta të partnerëve strategjike.
Më 9 shtator 1996, FARSH kanë filluar misionin e parë në Bosnje-Hercegovinë. Numri i trupave pjesëmarrëse në Operacionet e Mbështetjes së Paqes (OMP) është rritur, ashtu siç është rritur edhe gjeografikisht numri i vendeve apo rajoneve ku ato kanë kryer operacione.
Pjesëmarrja e FARSH në misione paqeruajtëse dhe luftarake buron nga misioni kushtetues i FARSH dhe baza ligjore e përcaktuar për secilin kontribut në misione paqeruajtëse apo luftarake.
Kontribute të FARSH, në operacione ushtarake të drejtuara nga NATO, BE dhe OKB, nga muaji shtator i vitit 1996 dhe deri në dhjetor 2024 janë gjithsej 8.998 ushtarakë, raporton KosovaPress.
Forcat e Armatosura janë aktualisht të angazhuara në misione paqeruajtëse dhe luftarake në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Sudani i Jugut dhe Letoni, Bullgari, Irak, detin Egje. Ato kanë përfunduar misionet paqeruajtëse në Irak, Çad dhe Gjeorgji, në Mali, ISAF dhe atë RSM në Afganistan.


