Lajme

KQZ bllokon Listën Serbe mes debateve, tensioneve dhe akuzave nga të gjitha anët, çka tutje?

Të martën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbajti mbledhjen e 87-të për këtë vit, i kryesuar nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi.

Gjatë mbledhjes, rekomandimi për certifikimin e partisë politike Lista Serbe nuk mori votat e nevojshme për t’u aprovuar. Rekomandimi u mbështet nga 2 vota për, u kundërshtua nga 2 vota dhe regjistroi 7 abstenime.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ishin të vetmit që votuan kundër. Ndërkohë, anëtarët e partive të tjera, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, abstenuan nga votimi.

Këtë vendim, ekspertët e shohin si një veprim institucional dhe një mundësi për rritje të pluralizmit politik. 

Halilaj: Vendimi i KQZ-së, institucional dhe ligjor

Avokati Gazmend Halilaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se vendimi i KQZ-së për të mos certifikuar Listën Serbe është një veprim institucional i bazuar në ligj, sepse çdo subjekt politik duhet t’i përmbushë kriteret dhe afatet ligjore, pa përjashtim.

Ai ka shtuar se nëse ato nuk plotësohen, KQZ-ja është e detyruar të veprojë sipas rregullave.

“Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të refuzuar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit paraqet një akt të rëndësishëm institucional që duhet parë përtej dimensionit politik. KQZ-ja ka mandat të qartë ligjor: çdo subjekt politik, pa përjashtim, duhet të respektojë kriteret dhe afatet e përcaktuara në Ligjin për Zgjedhjet dhe rregulloret përkatëse. Në momentin kur këto kritere nuk përmbushen, institucioni është i detyruar të veprojë sipas ligjit, pavarësisht emrit të subjektit apo ndikimit të tij politik”, ka thënë ai.

Image
Avokati Gazmend Halilaj

Gjithashtu, Halilaj ka vlerësuar se nëse Lista Serbe mbetet jashtë garës, kjo do të krijojë hapësirë për më shumë pluralizëm politik te komuniteti serb, duke hapur rrugë për alternativa të reja që përfaqësojnë interesat e qytetarëve.

Sipas tij, kjo do të kontribuojë edhe në një skenë politike më konkurruese dhe me më pak presion të centralizuar ndaj institucioneve të Kosovës.

Mungesa e Listës Serbe në garën zgjedhore, nëse vendimi mbetet në fuqi, padyshim do të sjellë disa ndryshime. Para së gjithash, hapet një hapësirë më e madhe për pluralizëm brenda komunitetit serb në Kosovë – një mundësi që prej vitesh ka qenë e kufizuar nga dominimi absolut i një subjekti të vetëm. Kjo situatë mund të nxisë alternativa të reja politike, që përfaqësojnë realisht interesat e qytetarëve dhe jo agjenda të imponuara nga jashtë vendit. Për skenën e përgjithshme politike të Kosovës, kjo mund të sjellë më shumë konkurrencë të ndershme dhe më pak presion të centralizuar ndaj institucioneve të Republikës”, ka vlerësuar ai.

Tutje, Halilaj ka shpjeguar se çdo subjekt ka të drejtë të apelojë te PZAP, por vendimet e këtij paneli mbështeten në prova dhe ligj.

Ai ka cekur se institucionet zgjedhore kanë zbatuar vazhdimisht standarde të njëjta për të gjithë subjektet, një parim që duhet ruajtur.

“Sa i përket Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), natyrisht çdo subjekt ka të drejtë të kërkojë rishqyrtim. Por PZAP ka treguar vazhdimisht se vendimet e tij mbështeten në prova dhe në zbatimin strikt të ligjit. Nëse KQZ e ka bazuar vendimin në shkelje objektive – qofshin ato dokumentacioni, afatet, kriteret ose mosrespektimi i dispozitave ligjore – atëherë gjasat që PZAP ta rrëzojë vendimin nuk janë të mëdha. Institucionet tona zgjedhore kanë qenë konsekuente në aplikimin e standardeve të njëjta për të gjithë subjektet, dhe ky është një parim që duhet mbrojtur”, ka shtuar ai.

Më tej, Halilaj ka theksuar se procesi tregon forcimin e demokracisë dhe zbatimin e barabartë të ligjit për të gjithë.

“Në fund, ky proces duhet parë si dëshmi e forcimit të rendit demokratik dhe të zbatimit të barabartë të ligjit. Demokracia funksionon vetëm kur rregullat vlejnë për të gjithë”, ka përfunduar Halilaj.

Burjani flet për vendimin e KQZ-së

Nga ana tjetër,  njohësi i çështjeve juridike, dhe ish anëtari i KQZ-së , Blerim Burjani ka potencuar se çështja po zvarritet kot vetëm në fazën e certifikimit, pasi ligjërisht e kushtetueshmërisht nuk ka asnjë bazë për ta ndaluar

“E kotë është kjo, vetëm shtyhet në certifikim, se dihet se duhet të lejohet sepse s’ka ndonjë bazë të arsyeshme ligjore dhe kushtetuese të ndalet, pra nuk ka gjë prej kësaj teme dhe nuk duhet të humbet energji në këtë çështje.

Pra gjërat janë të qarta ATP legale, dhe se alternativë tjetër ndaluese nuk ka përveç votës së VV në KQZ kundër. Pra vota kundër në KQZ është vetëm dëm për shtetin, se kurrfarë përfitimi shteti nuk do të ketë”,  ka thënë ai.

Image
Blerim Burjani

Ndryshe, vendimi për mosçertifikimin e Listws serbe ka hasur në kundërshtimin e shteteve të Quint-it, si SHBA, Gjermania etj.