Ambasada gjermane në Prishtinë ka reaguar pas qëndrimit të Bashkimit Evropian në Kosovë, duke dënuar ashpër gjuhën e përdorur nga anëtari i KQZ-së nga radhët e LVV-së, Sami Kurteshi, i cili e ka cilësuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) si një “aleancë grupesh kriminale”.
Në një postim në Facebook, Ambasada gjermane e ka quajtur këtë krahasim “jo vetëm të padinjitetshëm, por edhe një sulm ndaj lirisë së medias”, duke theksuar se i bashkohet plotësisht reagimit të BE-së.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian në Kosovë ka kërkuar që një retorikë e tillë të marrë fund, duke rikujtuar se liria e medias është themelore për çdo shoqëri demokratike. BE ka theksuar se do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në zhvillimin demokratik dhe në mbrojtjen e standardeve të komunikimit publik.
Reagimet vijnë pas deklaratave të Kurteshit, të cilat kanë ngjallur kritika të gjera në opinionin publik dhe komunitetin e mediave.


