ShowBizzz

Mjeku që furnizoi me ketaminë aktorin e ndjerë Matthew Perry dënohet me 30 muaj burg

Mjeku nga Kalifornia, Salvador Plasencia, është dënuar me 30 muaj burg për furnizimin e aktorit Matthew Perry me ketaminë, ilaçi që çoi direkt në vdekjen e yllit të “Friends”.

Ai është personi i parë që përfundon pas hekurave për këtë rast, pas një hetimi federal disa­vjeçar që zbardhi rrjetin e furnizimit të drogës në Hollywood.

Perry, i cili u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në vitin 2023, kishte folur publikisht për betejat e tij me depresionin dhe varësinë.

Familja e aktorit kërkoi një dënim të rëndë për Plasencia-n, duke e quajtur atë “më fajtorin” dhe duke theksuar se ai vazhdonte t’i siguronte drogën edhe kur gjendja e aktorit po përkeqësohej.

Plasencia pranoi fajësinë për katër akuza për shpërndarje të ketaminës, të cilat mund t’i sillnin deri në 40 vite burg. Prokurorët kërkuan një dënim trevjeçar, ndërsa gjykata vendosi 30 muaj.

Sipas dosjes së çështjes, mjeku e injektonte aktorin në mënyrë të përsëritur, madje edhe në ambiente të pazakonta si parkingje, dhe i shiste shishe shtesë për përdorim në shtëpi.

Katër të akuzuar të tjerë, mes tyre një mjek tjetër, asistenti i Perry-t dhe dy persona që e furnizuan me dozën fatale, kanë pranuar gjithashtu fajësinë dhe pritet të dënohen në muajt e ardhshëm.

Familja e aktorit e ka përshkruar humbjen si “shkatërruese”, duke e cilësuar Plasencia-n një mjek që tradhtoi betimin e tij profesional dhe e çoi aktorin drejt një fundi tragjik.