Një veteran lufte 88-vjeçar, i cili u detyrua të rikthehej në punë me kohë të plotë pasi humbi pensionin, është prekur thellë pasi mori një çek prej 1.77 milionë dollarësh, dhuruar nga njerëz të panjohur dhe zemërgjerë nga e gjithë bota.
Ed Bambas, nga Brighton, Michigan, shërbeu në ushtrinë amerikane dhe më pas punoi për vite me radhë në kompaninë General Motors, duke besuar se pensioni do t’i siguronte një jetë të qetë pas daljes në pension në vitin 1999. Por gjithçka ndryshoi në vitin 2009, kur GM u përball me falimentimin. Si pasojë, rreth 20 mijë punonjës të Delphi Corporation, një filial i GM, humbën fondet e pensioneve — dhe Bambas mbeti pa të ardhurat e pleqërisë.
Situata u rëndua më tej kur bashkëshortja e tij, Joan, u sëmur rëndë. Pa sigurim shëndetësor, ai u detyrua të shiste shtëpinë për të përballuar shpenzimet e larta mjekësore. Joan ndërroi jetë në vitin 2018, duke e lënë Bambasin të vetmuar, të tronditur dhe në vështirësi të thella financiare. I pambrojtur dhe pa një burim të qëndrueshëm të ardhurash, veterani u rikthye në punë me kohë të plotë për të mbijetuar.
Historia e tij prekëse preku zemrat e miliona njerëzve, mes tyre edhe influencuesin australian Sam Weidenhofer. Pasi dëgjoi rrëfimin e Bambasit, Weidenhofer udhëtoi për ta takuar në vendin e punës, e intervistoi dhe i dhuroi menjëherë 400 dollarë. Ai hapi gjithashtu një fushatë GoFundMe, duke u bërë thirrje njerëzve të ndihmonin veteranin që të tërhiqej më në fund nga puna dhe të jetonte me dinjitet.
Më 6 dhjetor, në një ceremoni emocionuese të mbajtur në Foguth Financial Group në Brighton, Michigan, Weidenhofer i dorëzoi Bambasit një çek gjigant me shumën e mbledhur: plot 1 770 000 dollarë.
‘Me mbështetjen e të gjithëve në këtë sallë dhe mijëra njerëzve online, kemi arritur një nga fondet individuale më të mëdha në historinë e GoFundMe’, deklaroi influencuesi, ndërsa veterani shpërtheu në lot. ‘Ishte si një ëndërr… faleminderit’, tha Bambas, i përqafuar me mirënjohje.



